Shkaqet e vërteta që çuan në rrëzimin e avionit në Korenë e Jugut më 29 Dhjetor dhe që i mori jetën 179 personave me shumë mundësi do të mbeten mister.
Kjo pasi regjistruesi i zërit të kabinës në avionin Jeju Air që fluturonte nga Bangoku në Muan ndaloi së funksionuari 4 minuta para se avioni të ulej në pistë dhe të përplasej fatalisht me një mur rrethues prej betoni.
Autoritetet që po hetojnë katastrofën, më e keqja në Korenë e Jugut, planifikojnë të analizojnë se çfarë ndikoi që “kutitë e zeza” të ndalonin regjistrimin, tha Ministria e Transportit në Seul në një deklaratë.
Kutitë e zeza fillimisht u analizuan në Korenë e Jugut dhe kur zbuluan se të dhënat e zërit mungonin, ato u dërgua në një laborator të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së, i cili konfirmoi dëmtimin e tyre.
Hetuesit thanë se kutitë e zeza ishin vendimtare për hetimin, por shtuan se nuk do të hiqnin dorë nga përpjekjet për të zbuluar pse ndodhi përplasja. Pak minuta para përplasjes pilotët i thanë kontrollit të trafikut ajror se avioni kishte pësuar një goditje nga zogjtë dhe deklaruan emergjencë.
Nga rrëzimi i avionit shpëtuan vetëm dy anëtarë të ekuipazhit, të cilët ishin ulur në pjesën e bishtit të avionit.
Tv Klan