Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi përkrah propozimin e OSBE-së dhe kërkesën e opozitës që vendimet e institucionit zgjedhor të aprovohen në raportin 5 me 2. Kjo gjë është kërkuar edhe nga demokratët, por është kundërshtuar nga soicalistët pasi këta të fundit kërkojnë vendimmarrje me shumicën e thjeshtë. Sipas Celibashit, miratimi i vendimeve me 5 vota të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të shmangte kontestimet e do të rriste besueshmërinë ndaj punës së KQZ-së.

Ilirjan Celibashi: “Personalisht unë mendoj që në rrethanat në të cilat zhvillon veprimtarinë KQZ-ja aktuale si dhe duke marrë në konsideratë vlerën dhe rëndësinë që kanë zgjdhjet e ardhshme të vitit 2005, besoj që do të ishte më mirë që vendimmarrja në Komisionin Qendror të Zgjdhjeve për çështje të rëndësishme të kërkohej me një shumicë të cilësuar. Për çështje, të cilat lidhen p.sh. me rezultatin e zgjedhjeve apo me ankimet e subjekteve zgjdhore, do të ishte mirë që vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të kërkonte minimumi votën e 5 anëtarëve të KQZ-së.”

Vendimmarrja është çështja e dytë më e rëndësishme pas rikompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për demokratët si dhe pika ku ka mbetur reforma zgjedhore. /tvklan.al