Menjëherë pasi Presidenti i Koresë së Jugut shpalli ligjin ushtarak, në vend kanë shpërthyer protestat duke kërkuar moszbatimin e tij.

Yoon Suk Yeol njoftoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake në një fjalim të tijin para kombit duke goditur kundërshtarët politikë brenda vendit dhe solli tronditje tek të gjithë.

Yoon tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të përdorte një masë të tillë për të mbrojtur vendin.

“Shpall ligjin ushtarak për të mbrojtur Republikën e Lirë të Koresë nga kërcënimet e forcave komuniste të Koresë së Veriut dhe për të çrrënjosur elementët anti-shtetërorë të cilët po minojnë lirinë dhe lumturinë e popullit tonë. Gjithçka për të mbrojtur Kushtetutën”.

Ai nuk përmendi ndonjë kërcënim specifik nga Koreja e Veriut e cila është e armatosur me armë bërthamore, megjithatë, ai u fokusua tek kundërshtarët e tij të brendshëm politikë.

Yoon tha se se partitë opozitare kanë marrë peng procesin parlamentar për ta futur vendin në krizë.

Agjencitë e lajmeve, duke cituar ushtrinë atje, thonë se aktivitetet e parlamentit dhe partive politike do të ndaloheshin dhe se mediat dhe botuesit e tyre do të ishin nën kontrollin e komandës së ligjit ushtarak.

Paraardhësi i zotit Yoon, Moon Jae-in i Partisë Demokratike, tha në një postim në rrjetin X se demokracia e vendit është në krizë.

“Shpresoj që Asambleja Kombëtare të veprojë shpejt për të mbrojtur demokracinë tonë nga rrënimi”, shkruan ai.

Është hera e parë që nga viti 1980 që shpallet ligji i jashtëzakonshëm ushtarak në Korenë e Jugut.

Tv Klan