Kur na ndajnë pak muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, Komisioni i Venecias apelon për depolitizim të administratës elektorale.

Mesazhi u dha nga zëvendës anëtari i Komisionit të Venecias, Sasa Zagorc, gjatë konferencës me temë “Depolitizimi i Administratës Zgjedhore”.

“Disa nga rekomandimet tona nga viti 2020 nuk janë zbatuar. Zgjedhjet janë përcaktuar më 11 Maj dhe ato duhet të bëhen në mënyrë demokratike. Administrata zgjedhore e pavarur është e rëndësishme për zgjedhje të drejta dhe të lira. Kodi i praktikës së mirë në çështjet zgjedhore identifikon që administrata duhet që të jetë e pavarur”.

Por nisur nga praktika 34-vjeçare e proceseve elektorale, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi ka një qasje tjetër.

“Aktorët politikë nëse nuk janë prezentë, e vështirë se do pranonin rezultatin e zgjedhjeve. Jo depolitizim i plotë. Partitë të jenë në proces, por jo tërësisht dhe vetëm ata”.

Zagorc tha se zgjedhjet duhet të jenë demokratike dhe në emër të Komisionit të Venecias sugjeroi që puna mes palëve për vijimin e Reformës Zgjedhore të nisë pas tyre.

“Komisioni është i opinionit se Reforma Zgjedhore duhet të bëhet pas konsultimeve që lejojnë debatin mes opozitës dhe mazhorancës dhe me shoqërinë civile. Duhet të bëhen edhe në një moment të caktuar për t’u bërë të zbatueshme edhe për zgjedhjet që po vijnë”.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përsëriti angazhimin se do të mbështesë ofrimin e ekspertizës, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe profesionalizmin e administratës zgjedhore.

Tv Klan