“Ka një pragmatizëm këtu, unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë të bartet njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ky është dallimi mes meje dhe Kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim”.
Kjo deklaratë e kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli dhënë Zërit të Amerikës, ka zgjuar reagimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Sipas Haradinajt, nëse të gjithë krerët e shtetit do të ishin unik në qëndrime edhe SHBA-ja do t’i kishte përkrahur më shumë.
“Është kualifikim i paqëndrueshëm nuk kam qasje me Amerikën si me Serbinë, me Serbinë njëherë jam nda në luftë, kam qenë me Amerikën, kemi dallime në tema me Serbinë të shumta, ma pak me Amerikën, kemi dallim në një temë suspendimin e taksës. Sikur Veseli e të tjerët të kishin qenë unik Amerika ndoshta do të na kishte përkrahur më shumë, po kjo dëshirë me fol ndryshe po na bën dëm si Kosovë e na ka lënë ku jemi sot”.
Haradinaj është pyetur edhe për qëndrueshmërinë e koalicionit pas mospajtimeve të tyre.
“Na kemi një raport të marrëveshjeve në punë, kemi dallim, është konfirmuar edhe me deklaratën e Veselit, kam pas raste në një takim jo në një po në disa, nuk është në rregull kjo, e dobësojmë veten kështu, jo koalicioni, ai vazhdon. Çështja më e rëndësishme është a mbrohet interesi Kosovës në raport me palët tjera”.
Qeveria e Kosovës në Nëntor të vitit të kaluar ka vënë 100 përqind taksë produkteve serbe derisa kjo ka rezultuar me ndërprerjen e dialogut nga ana e Beogradit. Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht insiston që taksa të hiqet derisa ka qëndrime të kundërta edhe ndërmjet partnerëve të koalicionit në Kosovë rreth kësaj çështjeje.
Tv Klan