Një qytetare nga Durrësi është drejtuar në “Stop”, pasi mjekja e familjes në Qendrën Shëndetësore Plazh Durrës është larguar prej muajit Gusht në Gjermani dhe ende nuk është zëvendësuar. Pacientët e saj i kanë kaluar drejtorit, por ky i fundit nuk i mbulon dot të gjithë.

“Banoj në zonën Plazh Durrës. Kemi një problem sa i takon mjekut të familjes. Prej muajit Gusht të vitit të kaluar mjekja jonë u transferua në Gjermani, që nga ajo kohë prej 5 muajsh nuk është zëvendësuar me një mjek tjetër. Janë me qindra të sëmurë, fëmijë e të moshuar që presin të marrin shërbimin. Ne që e merrnin shërbimin tek kjo mjeke jemi transferuar tek drejtori, por nuk na mbulon do të gjithëve, është e pamundur që të na mbulojë të gjithëve. Kërkojmë që të zëvendësohet me një mjeke tjetër. T’i jepet zgjidhje këtij problemi sepse nuk mund të shkojmë të gjithë e të rrimë në radhë aty. Është një zonë turistike, ka plot raste”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” denoncuesja.

“Stop” u drejtua në qendrën shëndetësore, ku thuhet se janë disa mjekë, por ka një mungesë e megjithatë nuk mbulohen dot të gjithë qytetarët pasi bëhet fjalë për 24 mijë banorë që mbulon kjo qendër.

Qytetarja: Mjek familje kush është këtu? Se kemi ardh…

Drejtori: Urdhëro! Ça kishe?

Qytetarja: Për të bërë regjistrimin, se kemi ardhur me banim këtu dhe…

Drejtori: Lejen e banimit. Ku banon?

Qytetarja: Këtu, tek pallatet këtu.

Drejtori: Lejen e banimit, do vish të regjistrohesh te një mjek, po sot s’ka sistem. Do gjesh një mjek të regjistrohesh!

Qytetarja: E kuptoj. Me mjekun mund të flas ndërkohë, ku është?

Drejtori: Mund të flasësh. Nja dy i ke turni i dytë. Një mungon. Vetëm një mjek ke poshtë ose hajde një ditë tjetër meqë s’ka sistem sot. Të duhet nai gjë ty?

Qytetarja: Jo nuk më duhet asnjë gjë, po thjesht ngaqë më thanë, që nuk ka… komshinjtë aty, që nuk ka mjek familje, prandaj.

Drejtori: Po mjek familje, janë 5 mjekë familje. Njëri pritet të vijë.

Qytetarja: Po pra, po aktualisht nuk qenka asnjëri.

Bisedë me një paciente

Pacientja: Ne e kemi këtu, po që 4 muaj s’e kemi. Kalojmë, ku të mundemi, te infermieret, te doktori, kush të qëllojë.

Derisa doktoresha e larguar të zëvendësohet, qytetarët do të sorollaten në kërkim të shërbimit./tvklan.al