Në vitin 2018 emisioni “Stop” ka trajtuar problematikën e rrugës së Ndroqit, që kishte 30 vjet pa u vënë dorë nga ana e ARRSH-së. Në atë kohë ARRSH premtoi zgjidhje për rrugën problematike.
Sot, pas 7 vjetësh ka nisur rikonstruksioni i rrugës me investitor ARRSH-në dhe projektues Eurokos Holding SHKP me një firmë tjetër, si dhe mbikëqyrës Hidrowater-Albania. Afati i punimeve është 20 muaj.
Prej 5 muajsh në rrugën e Ndroqit punohet, por ritmi është i ngadalshëm dhe banorë e biznese kërkojnë, që të punohet më shpejt dhe rruga të jetë e aksesueshme pasi për ta është bllokuar çdo gjë. Ata shprehen se gropave duhet që të paktën t’u vendoset çakull dhe punimet të mos hapen e mbyllen tre herë siç është bërë me shtyllat elektrike.
“Përshëndetje ‘Stop-i’ ne jemi mbledhur sot për punën e rrugës që nuk është aspak e aksesueshme. Firma është brenda afatit dhe rruga shyqyr që po na bëhet sepse kemi 30 vjet që nuk po vë dorë njeri në këtë rrugë. Puna është që ne që të gjithë si biznese jemi drejt falimentimit. Kemi 5 muaj që këtu punohet me ritme shumë të ngadalta. Njerëzit na thonë që ne nuk kalojmë më me këtë rrugë. Kemi miq, kemi shokë nëpër Durrës e nëpër Tiranë, kjo rrugë është bërë si e harruar. Kur rindërtohet është normale që do të prishet. Ne duam që të paktën të jetë e aksesueshme”.
“Po të ceksh këtu, është njësoj sikur të ecësh nëpër shkallë dhe kjo nuk është një rrugë e re, është një rrugë nacionale. Jemi 4 njësi administrative, 5 njësi deri në Durrës. Kjo ka qenë rrugë nacionale numër 1. Jemi të bllokuar të gjithë. Sot është një ditë e bukur, por në një ditë shiu, këtu është vetëm ujë. Është dita e 6 ose e 7 që akoma nuk kanë filluar punë. Punojnë me një ritëm shumë të ngadaltë.”
“Ne rrugën e kishim shumë keq me kohë, por përsëri e aksesonim, ruheshim. Tani nuk ke kujt t’i ruhesh më, kjo është bërë lemeri fare.”
“Ka qenë që në kohën e Italisë që u bë rruga, e atëherë u bë me standarde, për mua kjo rrugë është bërë pa standarde.”
“Përpara se të prisheshe kjo kemi qenë mirë me punët këtu. Shyqyr që filluan rrugën thamë, por kështu siç e bënë nuk bëhet më.”
“Këta mirë që dalin një herë në javë, por këta edhe ditë të shtune apo të dielë e bëjnë pushim. Moti, e bëjnë pushim me arsyen e kushteve atmosferike.”
“Stop” komunikoi me ARRSH-në, që premtoi se do të merren masa dhe do të punohet më shpejt, për të përfunduar ai lot, që është vetëm 1.5 km.
Specialistja ARRSH: Nuk është vetëm një faktor këtu, janë shumë, që mund t’i ulja të tre, të katërt dhe të shikonim, se çfarë zgjidhje do t’i jepnim!
Gazetarja: Do të merren masa?
Specialistja ARRSH: Po patjetër! Do marrim se s’bën, se ato janë në fazë punimesh, kështu që neve i kemi në dorë akoma!
“Stop” komunikoi dhe me projektuesin “S.D.C” shpk.
Gazetarja: Përshëndetje zotëri unë e kuptoj që ju keni një afat kalendarik 20 muaj dhe jeni brenda afatit, por nuk do të ishte pak mirë që t’i jepnit pak gaz!
Projektuesi: Po! Aty dhe kanë të drejtë banorët pak, se këto ditë ka qenë pak edhe shi, edhe janë hap ca gropa, ca gropa të vogla kështu për vështirësi, vështirësi kalimi. Mirëpo ne i kemi nxjerrë sot e kemi filluar duke i mbyll ato, duke i riparuar çdo gjë, që është me e ba ma të lehtë lëvizjen aty. Kuptohet që është aks në ndërtim, dhe akset në ndërtim gjithmonë kanë vështirësitë e veta.
Gazetarja: Thjesht brenda mundësive t’i vendosin një çakull që rruga të bëhet e aksesueshme.
Projektuesi: Me atë punë po merrem sot, nesër , pasnesër…rregullisht do merrem!
Gazetarja: Domethënë do e merrni në konsideratë?
Projektuesi: Patjetër moj, as bëhet fjalë!
Më pas “Stop” kontaktoi dhe me kontraktorin e projektit.
Kontraktori: Po ne me ato jena tu u marrë. Ne jena tu vendos çakull e krejt, por janë ato paketat e rrugës, që as unë, as ti, kurrkush, nuk mund me orientu. Janë paketat dhe procese punimesh, që shkojnë gradualisht. Besoj, që shumë shpejt me përfundimin e veprave të artit, do hidhet një shtresë asfalt dhe ato duhet të bëjnë pak durim edhe me…
Gazetarja: Të mos dalim tek asfalti, por të vendosim çakullin si fillim.
Kontraktori: Po mirë moj, se çakullin e ka të vendosur një shtresë, por janë edhe dy shtresa të tjera, që do vendosen. Punimet i kanë këto probleme.
Gazetarja: Të lutem do u jepni pak gaz këtyre punimeve.
Kontraktori: Sa do mundemi, do t’i japim!
Nga ana tjetër mbikëqyrësi i qëndron pretendimit se punimet janë kryer me ritëm të lartë.
Mbikëqyrësi: Unë të them me bindje të plotë domethënë, që ne kemi punuar. Dhe për këtë të garantoj domethënë. Kemi punuar me ritme të larta siç e ka kontrata, për këtë të garantoj. Por nganjëherë është procesi i punës i tillë, megjithatë do përpiqem të transmetoj këtë mesazh tek inxhinieri zbatues të shpejtohen punimet dhe të hapen këto akse, në qoftë se na lejon projekti.
E në fakt, pas komunikimit të “Stop” në terren rishfaqen punëtorët të cilët vënë çakull, duke niveluar rrugën për ta bërë të aksesueshme. Sipas Autoritetit të Rrugëve, që nga Shkurti rruga do të jetë e aksesueshme për banorët, subjektet dhe automjetet./tvklan.al