Lëvizja Vetëvendosje udhëheq me më shumë vota se partitë e tjera në Kosovë pas votimeve për zgjedhjet parlamentare. Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, janë numëruar mbi 70% e fletëve të votimit.
Vetëvendosje udhëheq me 48.18% të votave. Pas saj me 17.63% të votave renditet Partia Demokratike e Kosovës, e cila ndiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.44% të votave, një rezultat i dobët ky për partinë e ish-Presidentit Ibrahim Rugova, dhe AAK me 7.49% të votave.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00 të së dielës. Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, deklaroi se gjatë procesit nuk u shënua asnjë incident.
Pas publikimit të Exit Polleve të para, mbështetësit e Vetëvendosjes dolën nëpër sheshe duke festuar. Por Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje u bëri thirrje që të festojnë në familje dhe të mos dalin në rrugë e të respektojnë masat anti-covid.
Nga ana tjetër, kryetari i AAK Ramush Haradinaj nxitoi të përgëzonte Vetëvendosjen për fitoren e zgjedhjeve. /tvklan.al