Ish-administratori i ARMO në periudhën 2008-2013, biznesmeni Rezart Taçi ka deklaruar se kur kjo kompani u privatizua, nafta i shitej nga Albpetrol dhe Bankers Petroleum me 45% më pak të çmimit të tregut ndërkombëtar me qëllim që fitimi të ishte i lartë.

Në një lidhje telefonike për emisionin “Opinion” në Tv Klan, biznesmeni Taçi u shpreh se në momentin që ARMO u privatizua, Ministria e Financave rriti akcizën për solarin, duke e bërë të pamundur shitjen e këtij produkti për shkak të cilësisë së dobët që ka. Sipas tij, ky ligj ndikoi negativisht në financat e kompanisë dhe që në atë moment kur u rrit akciza e solarit, ARMO duhej mbyllur. Megjithatë, biznesmeni Taçi theksoi se borxhet që ARMO kishte akumuluar gjatë drejtimit të tij, u shlyen në momentin që kjo kompani iu shit azerëve në vitin 2013.

Ai deklaroi edhe një fakt tjetër, që sipas tij, nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Kompania taksohej nga Ministria edhe për lëndën e parë, për naftën bruto që importohej dhe madje i kërkohej që të paguante taksa dhe akcizë për produkte të paprodhuara.

Blendi Fevziu:

Përse iu e bletë me shumë 128 milionë ARMO-n dhe premtuat 220 milionë investime, sepse një nga të ftuarit që kam në studio z.Sejamini thotë që nuk dilte logjika ekonomike për këtë çështje?

Rezart Taçi:

Në momentin e privatizimit, kompanitë nxjerrëse si Bankers Petroleum dhe Albpetrol i shisnin kompanisë ARMO naftën bruto me 45% zbritje nga çmimi i bursës.

Blendi Fevziu:

Përse ia shisnin kështu?

Rezart Taçi:

Atë nuk e di. Ato kanë qenë politikat shtetërore. Në privatizim ne kërkuam që të ruhej ky çmim nafte bruto për 5 vitet e ardhshme dhe duke pasur këtë çmim nafte bruto 45% zbritje nga tregu ndërkombëtar, marzhet e fitimit ishin aq të larta sa garantonin marzhe të larta fitimi dhe të ardhura për të implementuar planin e biznesit.

Blendi Fevziu:

Pra gjithmonë mbi bazën e naftës që do iu furnizohej nga Albpetrol dhe Bankers të cilët do t’iu a shisnin me gjysmën, me 45% të çmimit të tregut ndërkombëtar. Dhe me këtë llogari dilte që llogaria ARMO të dilte me fitim?

Rezart Taçi:

Po, dhe duke llogaritur ndryshimin e kuadrit ligjor financial fiskal, i cili është ndryshuar 9 herë, duke i krijuar kosto të mëdha financiare kompanisë. Kjo teknologji prodhon 30% solar. Në momentin që e privatizuam, Ministria e Financave e rriti akcizën e solarit duke e barazuar me akcizën e gazoilit. Duke qenë se solari është i një cilësie më të dobët, i bie që me këtë rritje solari të bëhet i pashitshëm.

Blendi Fevziu:

Sepse Ministri pretendonte që ky solar përzihej me naftën e importit dhe përdorej për tregun e brendshëm të karburanteve.

Rezart Taçi:

Unë nuk di çfarë pretendonte Ministria, unë po ju them që 30% e produktit të rafinerisë bëhej i pashitshëm. Me pak fjalë, që në atë moment që bëhej ky ligj, rafineria duhej mbyllur. Nuk mjafton kjo, asnjë vend në botë, as vendi më i prapambetur, nuk ka taksë për importimin e naftës bruto, nuk ka taksë për lëndën e parë.

Blendi Fevziu:

Ne kemi pyetur z.Bode për çështjen e taksave tuaja dhe për taksën e naftës që importonit.

Edhe ish-ministri i Financave Ridvan Bode konfirmoi se kompanisë ARMO, në periudhën që administrohej nga Rezart Taçi, i ishin mbledhur taksat, por akumuloheshin borxhe të tjera.

Ridvan Bode:

Unë jam vënë rreth dy herë ose tre herë në dijeni gjatë viteve 2009-2010-2011 për borxhe të krijuara dhe janë marrë masa sepse administrata tatimore ka dispozitivin e saj ligjor të mjaftueshëm për ekzekutimin e borxheve të krijuara me forcë. Dhe janë normalizuar situatat. Më është kërkuar njëherë të vetme, kam pasur kontakt me pronarin e pas privatizimit, në prezencë të zv/ministrit, më është kërkuar zgjatim afati për borxhet kundrejt një marrëveshje. Sigurisht që nuk është pranuar marrëveshja. Ka pasur pastaj dhe probleme të tjera që lidheshin me saktësinë e deklarimeve. Nëse janë deklaruar taksat në mënyrë korrekte, ka bërë një kontroll, ka filluar nga viti 2011, dhe në pritje për të ekzekutuar këtë vendim, nuk është se ka punuar me kapacitet rafineria, por me sa mbaj mend deri sa u larguam nga qeveria në 2013 ky akt nuk jam në dijeni që të jetë ekzekutuar.

Rezart Taçi:

Nuk është e vërtetë që taksimi ishte njësoj për të gjithë, sepse kompanitë e tjera nuk prodhojnë solar. Kompanitë e tjera nuk kanë një proces teknologjik. Ministria kërkonte që të paguhej taksë për produkt që përdorej për proces teknologjik. Kur Bankers Petroleum importonte gazoil nuk paguan asnjë lloj takse për proces teknologjik, ndërsa ne e prodhonim produktin, duhej të paguanim akcizë dhe taksa të tjera. Na kërkohej të paguanim akcizë dhe taksa për produkt të paprodhuar.

Biznesmeni Taçi këmbënguli sërish që ndaj tij nuk ka një proces të ri penal në vendin tonë.

/tvklan.al