Elvana Gjata mund të mos duket e shqetësuar për klikimet, por videoja e saj e re, është jo pak novatore… ose të paktën për Shqipërine.
Duket se rregullat e reja në trendin e klipeve muzikore i vendosi Dua Lipa me “New Rules”. Lëvizjet koreografike të grupit të vajzave që ndjekin hap pas hapi artisten me origjinë shqiptare në ambientet e një vile luksoze, i fiksuan të gjithë.
Por, ajo që i vuri vulën videove konceptuale me balerinë, ishte pasuesja e fenomenit “New Rules”.
“IDGAF”, vë përballë dy Dua Lipa, në rolin e liderëve. I xhiruar i tëri brenda një studioje, eksperimenti i Duas për të realizuar një video që imiton sfidat e kërcimit, rezultoi një tjetër sukses për këngëtaren.
Dhe ja! Nuk vonoi shumë dhe këngëtaret tona, përvetësuan menjëherë konceptin e koreografisë në klipet e tyre të reja. “As ni gotë” riktheu Nora Istrefin me lëvizje sensuale, por këtë herë vetë protagoniste! Stili dhe kostumi i mamit seksi te skenës ishin identike me të Klaudia Pepës, koreografes së videos. Apo ajo e Jennifer Lopez tek video e Im Glad.
Por në fakt, skenat e Norës duke shijuar kërcimin vetëm para pasqyrës, nuk është hera e parë që i shikojmë në një video muzikore shqip.
Katër vite më parë, Elvana Gjata i çuditi të gjithë me një stil të ri si në look, ashtu edhe në imazhet e videos “Puthe”.
Por, nëse atëherë i pëlqente të shfaqte anën e saj më rebele, videoja e re nxjerr në pah aspektin më të ndjeshëm të këngëtares.
Gjithë peshën e fabulës së “Ku Vajti”, në të cilën Elvana i këndon një dashurie të humbur, e mban koreografia.
Ne takuam Albi Nakon i cili qendron pas krijimit te videos më të fundit të Elvana Gjates.
Albi Nako:
Teksa provonim këtu në studio, kuptohet një muzikë me baza më popullore, me lëvizje disi komerciale dhe vetë Elvana kishte mendimin që të punonim një klip më konceptual, më modern apo disi më kontemporan.
Por cilat janë prapaskenat e imazheve dhe lëvizjeve të rrezikshme, që na kapën në befasi.
E gjitha krijimtaria këtu ishte mënyra sesi gjërat e bukura vijnë nga rastësia, edhe hedhja edhe kapja tek fyti.
Pashë një koment që është një klip si i Dua Lipës, jo është një koncept. Sigurisht që është një trend i ri, në momentin kur ne folëm me Elvanën, edhe vetë Elvana tha të bëjmë një gjë të tipit Dua Lipa, jo Dua Lipa se s’ka lidhje. Dhe normalisht unë mora një lloj referimi.
E nëse niveli i veshtirësisë ishte goxha sfidues, në internet nuk u kursyen ta krahasojnë me artistë të momentit.
Ndonëse projekti është prezantuar me sukses, rezervat do ekzistojnë, përderisa tregu këtu është i pakrahasueshëm me industrinë e vërtetë të muzikës jashtë vendit.
Albi Nako:
Mund të kishte mundësi për më tepër, ne artistët në përgjithësi, jemi pak gjynah. Pse? Një këngëtar duhet t’i bëjë të gjitha, të meret me logjistikën, me veshjet me gjithë logjistikën e një sipërmarrjeje. Nëse me Elvanën ne do të kishim punuar më gjatë ajo pa frikë mund të kishte dalë një kryevepër. Megjithatë, ajo çfarë publiku përftoi nga klipi ishte jashtë pritshmërisë.
Megjithatë, edhe diçka si koleget e saj jashtë Elvana po përpiqet ta sjellë edhe në skenat tona modeste. Turneu i saj është i gjithi i konceptuar me koreografi ku 30-vjeçarja shoqëron me kërcim hitet e saj.
Albi Nako: Sepse të bën mirë të kërcesh, sepse edhe në botën jashtë është kulturë e madhe te këngëtarët, kërcimi.
Biles ka një slogan dhe jashtë, nuk ka këngëtar që nuk di të kërcejë. Kush nuk di të kërcejë është analfabetizëm në gjuhën e këngës./tvklan.al