Ish-administratori i kompanisë ARMO në vitin 2008, bizmesmeni Rezart Taçi ka deklaruar se kjo kompani do të vazhdojë të dalë me humbje për sa kohë shteti nuk ndryshon ligjet për funksionimin e saj.

Biznesmeni Taçi ndërhyri në emisionin “Opinion” mbrëmjen e sotme përmes një komunikimi telefonik nga Turqia.

Ai tha se ndodhet në Stamboll dhe në Shqipëri nuk ka ardhur prej 2 vitesh e gjysmë për arsye personale, duke hedhur poshtë pretendimet se ndaj tij ka dënim gjyqësor.

I pyetur nga gazetari Fevziu për funksionimin e kompanisë ARMO në periudhën që administrohej prej tij, Rezart Taçi sqaroi se e bleu për 178 mijë Euro dhe brenda 3 muajve pagoi 40 milionë Dollarë detyrime të prapambetura.

Sa i përket falimentimit të ARMO-s, Taçi këmbënguli se kjo kompani do të dalë gjithmonë me humbje pasi shteti nuk aplikon ligjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me përpunimin e naftës. Biznesmeni Taçi hodhi dyshimet se këto ligje për ARMO-n nuk aplikohen qëllimisht nga shteti shqiptar.

“Unë ndodhem në Stamboll. Nuk vij në Shqipëri për çështje personale. Në Shqipëri nuk kam asnjë dënim. ARMO është blerë 178 mijë Euro dhe brenda 3 muajsh janë paguar 40 milionë Dollarë detyrime që i kishte kompania. Kjo kompani ka punuar vetëm 6 muaj në periudhën që kam qenë unë aksioner, për arsye që shkoni më mirë t’i investigoni. Dhe në këto 6 muaj janë paguar që të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Në 5 vjet menaxhimi, 6 muaj ka punuar. 

Unë si sipërmarrës pata një ide dhe prezantova një plan biznesi me një tender ndërkombëtar. Janë aplikuar ligje që kjo kompani mos punojë, dhe kjo kompani do të dalë me humbje.

Në 2013 e shita kompaninë sepse nuk pashë ekspertizë nga institucione të ndryshme që kjo kompani të punojë. Nuk kanë faj as azerët, ajo kompani do të vazhdojë të dalë me 3 milionë Dollarë humbje. E shita kompania me të gjitha, detyrimet, gjithçka”,

u shpreh Rezart Taçi.

/tvklan.al