Një 27 vjeçar nga Bradford ka përfunduar në prangat e policisë në Britaninë e Madhe, për filmimin e vajzave në rrugët e Manchester. Videot e tij janë bërë virale në rrjetet sociale, ku ekspozohej mënyra si vajzat visheshin për të dalë në lokale nate. I riu akuzohet për ngacmim dhe veprime të turpshme, pas një sërë denoncimesh të marra nga vajzat që kanë parë veten në video.
Publikimi i pamjeve të tilla pa marrë leje nga njerëzit, u kthye në një trend këtë vit duke grumbulluar miliona shikime e klikime. Shqetësimi më i madh i autoriteteve qëndron te fakti se vajzat filmohen në kënde të ndryshme, duke kapur nga afër pjesë të caktuara të trupit të tyre teksa ecin.
Po hetohen edhe videot e tjera me përmbajtje të ngjashme dhe se kush qëndron pas tyre. Megjithatë ky është arrestimi i parë lidhur me këtë fenomen.
Një zyrtar i policisë është shprehur se është diçka e re, por do të merren të gjitha masat për ta parandaluar.
“Çdokush duhet të ndihet rehat dhe i sigurt kur del për të festuar apo për të pirë diçka. Këto video i kanë bërë njerëzit, e sidomos gratë dhe vajzat, të ndihen të vëzhguara. Ne nuk mund ta tolerojmë. Të filmosh në publik është e paligjshme”, ka deklaruar ai.
/tvklan.al