“London Thieves”, rikthehet në vëmendjen e mediave britanike. Që ta sjellim në kujtesë për ju që mbase e keni harruar…Bëhet fjalë për një llogari në TikTok ku shqiptarët që merren me veprimtari të paligjshme në Britaninë e Madhe, bëjnë postime kërcënuese. Këto të fundit, për bashkëkombas ose persona të tjerë që “u bastisin shtëpitë e barit” në Angli.

Siç duket, kjo platformë sociale po shfrytëzohet nga shqiptarët që merren me kultivim kanabisi, për identifikimin e “armiqve”. Këta të fundit janë anëtarë të “grupeve rivale” që synojnë ta marrin “barin krejtësisht të gatshëm”.

Në videon e postuar së fundmi në TikTok, shfaqen filmimet e kapura nga një kamera në derë të shtëpisë, në pjesën veriperëndimore të Londrës. Aty duken një grup personash të maskuar me kapuçë që futen dhe vjedhin kanabisin.

Kush i njeh këto persona, shkruani në privat. Shpërblim! 10 mijë paund”, shkruhet krahas pamjeve. Ngjan si një thirrje për ndihmë krejt e zakonshme, por që s’është aspak e tillë. Madje ndeshesh edhe me komente të tipit “Hakmarrja i pret sa të vijnë në Shqipëri”, “Po i gjetët prituni duart dhe këmbët!”.

Ky fenomen mes grupeve rivale ka sjellë një sërë incidentesh në Angli. Më i fundit ishte ai në Maj 2022 në Bristol, ku pati një përleshje fatale. Radian Lika, 36 vjeç dhe Brikel Palaj, 33 vjeç, u dënuan me burg përjetë për vrasjen me thikë të Aranit Lleshit, 32 vjeç. Shkak u bë një sasi kanabisi me vlerë 95 mijë paund.

/tvklan.al