Shumë nëpër botë po shohin me vëmendje zhvillimet në Iran, duke ngritur pyetjen nëse do të ketë ndryshime domethënëse në politikat në rajon, në rast se presidenti Ebrahim Raisi nuk i ka mbijetuar aksidentit me helikopter.
Përgjigja më e shkurtër, sipas BBC, është jo dhe aq. Megjithatë, ekonomia mund të preket nga destabiliteti. Menjëherë pasi u bë publik lajmi, monedha iraniane, Rial, ra në raport me Dollarin amerikan.
Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei tha se shpresonte që presidenti dhe zyrtarët që e shoqëronin, do të kthehen shëndoshë e mirë. Ai kërkoi nga populli që të luteshin për ta dhe i siguroi se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar: “Nuk do të ketë probleme në drejtimin e vendit”, theksoi ai.
Në sytë e pjesës më të madhe të iranianëve është Lideri Suprem dhe Garda Revolucionare Islamike që merr vendimet më të mëdha politike në vend dhe në politikën e jashtme.
Raisi është një prej presidentëve më konservatorë që Irani ka pasur ndonjëherë më parë dhe është shumë afër me Liderin Suprem. Ai po ashtu është ndër pretendentët kryesorë për ta pasuar atë.
Çfarë po ndodh aktualisht?
Një operacion masiv po zhvillohet në zonën malore në veriperëndim të Iranit, aty ku helikopteri që transportonte presidentin Ebrahim Raisi dhe Ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, u zhduk.
Mediat vendase raportojnë se në vendin e ngjarjes ndodhen më shumë se 40 skuadra kërkim shpëtimi, që po përdorin qen e dronë, për të gjetur presidentin.
Raisi po kthehej nga një zonë pranë kufirit Iran-Azerbajxhan, ku kishte qenë për të inauguruar dy diga me homologun azer Ilham Aliyev.
Ky i fundit u shpreh i “thellësisht i shqetësuar” për lajmin se helikopteri ishte rrëzuar dhe tha se Azerbajxhani ishte gati të ofronte ndihmë nëse do të ishte e nevojshme.
Një reagim pati edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Një zëdhënës tha se po ‘i ndiqnin me vëmendje raportimet për një ‘ulje të vështirë’ të helikopterit ku ndodhej Raisi’, por nuk pranoi të bënte komente të mëtejshme.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm iranian tha se do të duhej kohë për të shkuar në vendin e ngjarjes për shkak të motit të keq dhe zonës së mbuluar me mjegull.
Përse media iraniane po përdor frazën ‘ulje e vështirë’
Media iraniane po përdor frazën ‘ulje e vështirë’ për të përshkruar rrëzimin e helikopterit të presidentit Raisi.
‘Ulje e vështirë’ është një frazë që përdoret shpesh nga autoritetet në Rusi për të përshkruar rrëzimin e avionëve. Përdoret në mënyrë të zakonshme nga Ministria e Mbrojtjes ruse, kur raporton aksidente të avionëve ushtarakë.
Për shembull, në Qershor të vitit 2022, një avion ushtarak mallrash u rrëzua në rajonin Ryazan të Rusisë, duke vrarë të 5 anëtarët e ekuipazhit. Ushtria ruse e përshkruajti ngjarjen fillimisht si ‘ulje e vështirë’, pavarësisht faktit se avioni ishte shkatërruar thuajse plotësisht si pasojë e përplasjes.
Analistët thonë se fjala “rrëzim” apo “përplasje” shmanget nga zyrtarët rusë për shkak të frikës se mund të shkaktojë zemëratë apo panik./tvklan.al