Me ardhjen e vjeshtës duhet të jemi të përgatitur dhe për një sërë virozash. Në programin “Shije Shtëpie” farmacistja Teuta Maçi ndan me publikun disa informacione thelbësore për laringitin. Duke renditur simptomat, ajo tregon dhe shkaqet që sjellin këtë virozë.

Teuta Maçi: Laringiti është normalisht inflamacion i laringut, i zonës që vjen fiks poshtë fytit dhe krijohet zëri ynë. Kordat inflamohen dhe vështirësojnë daljen e zërit, formulimin e fjalëve, japin dhimbje, ndjehet vështirësi në gëlltitje ndonjëherë ndjehet vështirësi dhe në frymëmarrje.

Katerina Trungu: Po simptoma të tjera si temperaturë kalojnë?

Teuta Maçi: Ja çfarë ndodh. Ne marrim një virozë nga dikush tjetër, zakonisht shfaqen këto simptomat e para, me hundë dhe me dhimbje fyti, më pas viroza kalon më poshtë dhe zbret në laringit. Kur zbret më poshtë në trake dhe në bronke flitet për të tjera sëmundje sigurisht, shpesh herë me karakter viral, ndonjëherë dhe me karakter bakterial kur sëmundja avancon. Por, kur kemi laringit kemi të bëjmë me një ngjirje tipike të zërit, në pamundësi për të folur me zërin tonë të zakonshëm dhe dhimbje. Kjo shkaktohet pasi ne kemi kaluar tipikisht dy ose tre ditë gjendje tipike virale, ndonjëherë edhe me dhimbje trupi, por shpesh herë me rrufë dhe me dhimbje fyti.

Katerina Trungu: Duke marrë parasysh këtë shpjegim, shkaku është një virozë apo mund të jenë për shembull temperaturat e ulëta, apo qëndrimi në një ambient me kondicioner?

Teuta Maçi: Pjesa më e madhe e laringiteve, sidomos në sezonet e virozëve siç jemi në stinën e vjeshtës dhe të dimrit kanë karakter viral. Laringiti mund të shkaktohet edhe nga një sëmundje e stomakut, nga refleksi që e quajmë, nga kthimi i aciditetin në kthimin e fytit dhe në shkaktimin e ngjirjes së zërit. Mund të shkaktohet nga alergjitë e shumta të cilat mund të jenë në sezone të caktuara, mund të shkaktohet në profesione të ndryshme siç janë këngëtarët dhe mësuesit. Ka një ndryshim që laringiti që shkaktohet nga virozat shpesh herë kalon maksimumi në një periudhë dy javore shenjat e laringitit janë pakësuar. Fillojnë dy ose tre ditë pas një viroze të zakonshme, 3 deri në 7 pikë janë ato simptomat tipike me ngjirje zëri, pastaj fillojnë dhe gradualisht pakësohen.

Kur nuk janë me një karakter viral, por me karakter bakterial, kur mbivendoset virusi gjendja fillon dhe përkeqësohet. Simptomat mund të lehtësohen, sëmundja në vetvete kur është sidomos me karakter viral nuk mund të shkurtohet, ajo do të bëjë ciklin e vet dhe kjo është këshilla kryesore që ne u japim pacientëve. Nuk mund të merrni ilaçe për të shëruar sëmundjen, sepse sëmundjet virale do të bëjnë ciklin e tyre. Nëse doni të shkurtoni sëmundjen duhet të jeni me shëndet të plotë, imunitet të fortë, dhe sistemi imunitar do të jetë ai që do të luftojë sëmundjen. Ajo që ne mund të bëjmë është që të lehtësojmë pasojat që na lë kjo sëmundje, ndonjëherë me ilaçe, por ndonjëherë vetëm me durim./tvklan.al