Prokurorët e SPAK kanë realizuar një takim në Brasilia dhe Sao Paolo me homologët brazilianë në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve të drejtësisë së dy vendeve.

Në lidhje me këtë takim ka reaguar dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë në një postim në “X” ku thuhet se është realizuar për të forcuar bashkëpunimin dhe kapacitetin në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, pastrimit të parave dhe korrupsionit.

“Javën e kaluar, në Brasilia dhe Sao Paulo, Departamenti i Drejtësisë, partnerët e OPDAT dhe prokurorët shqiptarë të SPAK u takuan me homologët brazilianë për të forcuar bashkëpunimin dhe kapacitetin në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, pastrimit të parave dhe korrupsionit.”

Në këtë takim merrte pjesë kreu i Prokurorisë së Posaçme bashkë me 4 prokurorë të tjerë, Arben Kraja, Adnand Xholi dhe Elida Kaçkini e Vladimir Mara.

Hetimet që Prokuroria e Posaçme po kryen me bazë komunikimet në aplikacionin Sky kanë treguar se personazhe të botës së krimit në Shqipëri kanë vepruar dhe po veprojnë në këtë shtet me qëllim trafikun e drogës.

Komunikimet e Sky treguan disa raste të lidhjeve të eksponentëve të krimit që siguronin kokainën në Brazil dhe e dërgonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian./tvklan.al