Pasi SPAK njoftoi se Olsi Rama nuk rezulton të ketë asnjë lidhje me çështjen “Xibraka”, ka një reagim nga ana e deputetit Gazment Bardhi. Ky i fundit, përmes një videoje të postuar në Facebook thotë se gjithë qëndrimi i Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion është qesharak. Ai thekson se jepen dy versione të ndryshme mbi hetimet në 5 fjali të njoftimit zyrtar.
“Sapo u njoha me njoftimin që SPAK ka shpërndarë për media, sa i takon çështjes “Xibraka”. Të jem i sinqertë nuk ju besova syve me ato që lexova, hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar! Ky ishte thelbi i atij njoftimi, në fakt qesharak të Prokurorisë të cilin e kanë paralajmëruar që ditën e parë me fakte dhe të dhëna konkrete dyshimin e arsyeshëm për përfshirjen e mundshme të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, në çështjen e laboratorit të Xibrakës. Prokuroria njoftonte se kishte përfunduar hetimet në vitin 2024 në fjalinë e parë, por në fjalinë e pestë të një njoftimi me pesë fjali thoshte se kanë pezulluar hetimet dhe kanë ridërguar apo dërguar që Policia e Shtetit të bëjë përpjekje për të identifikuar atë që është fshehur para 10 vitesh. E vërteta në fakt është krejt ndryshe.
Prokuroria s’ka kryer asnjë veprim hetimor për të zbuluar të vërtetën. Prokuroria që vë dorën në zjarr që Olsi Rama nuk është i përfshirë në atë aktivitet kriminal, deklaron vetë se e ka të pamundur për të identifikuar personat e përfshirë. Njoftimi se njëri nuk është, por ne nuk e dijmë se kush janë, në fakt është fiks logjika që përdori para 10 vitesh Policia e Shtetit duke na thënë të gjithëve se kishte zbuluar moshën e personit, 45 vjeç, por nuk i gjente dot emrin.“
Shton se ndaj vëllait të kryeministrit nuk është kryer asnjë veprim konkret hetimor. Sipas Bardhit, prokurorët janë intimiduar nga pushteti i Edi Ramës.
“I kuptoj prokurorët e SPAK sepse ndjehen të kërcënuar, të intimiduar, të pafuqishëm përballë pushtetit të Edi Ramës. Por ata nuk kanë asnjë arsye për t’u bërë qesharakë dhe për të na e kthyer në memorie se në fakt të bërit qesharakë e kanë metodë të punës së tyre. Shqiptarët e mbajnë mend që i njëjti prokuror, Alfred Shehu, para 4 vitesh doli me zë dhe figurë dhe u tha shqiptarëve se në ngjarjen për zgjedhje në Elbasan, në makinën e autorëve të asaj veprimtarie kriminale nuk u gjetën materiale zgjedhore. Nxitimi për të amnistuar bandën në pushtet hasi në kundërshtimin e vetvetes vetëm 3 ditë më vonë, kur në gjykatë deklaroi me shkrim dhe me zë që “Po në makinën e personave të përfshirë në ngjarje kriminale u gjetën materiale zgjedhore”.
E në këto kushte s’kam asnjë mesazh tjetër veçse ndjej keqardhje për shkak të presionit, ndërhyrjes, intimidimit, prokurorët jo vetëm nuk tregohen profesionalë, por detyrohen të kthehen në qesharakë. Personalisht e kam pasur të qartë pamundësinë e tyre për ta bërë të ndëshkueshëm dikë që ka statusin i pandëshkueshëm, për shkak të pushtetit të të vëllait. Por Prokuroria kishte shansin të na provonte se është e pavarur, e paanshme, profesionale dhe se kryen hetim të plotë e të gjithanshëm. Unë do ndalem vetëm në një fakt, në seancën plenare të datës 4 Prill 2024, ministri Taulant Balla zyrtarisht informonte Kuvendin se ai kishte dijeni se kush ishte identiteti i personit 45 vjeç. A e ka thirrur Ballën prokurori për ta pyetur për këtë informacion? Mjafton vetëm ky fakt që nuk ka patur asnjë hetim, asnjë veprim hetimor konkret. Ka patur një tentativë për të bërë shqiptarët për budallenj sikur po hetohet.”
Në mbyllje, deklaron se kësaj çështjeje do i shkojë deri në fund.
“Kam vetëm një lutje, na kurseni të bërit qesharak! Nuk ka nevojë të degradojë në qëndrime apo njoftime të tilla që në 5 rreshta, fjalia e parë të kundërshtojë fjalinë e pestë. Qëndrime të tipit që ne nuk e dimë kush është, por betohemi para Edi Ramës se Olsi Rama nuk është. Nuk dekurajohemi, kësaj çështjeje do i shkojmë deri në fund! E vërteta do triumfojë, edhe pse do marrë pak kohë.”
/tvklan.al