Vllaznia do të përballet me Laçin këtë të shtunë, në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë në Superiore.

Në prag të kësaj ndeshje, në konferencë për mediat foli trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric. Tekniku kuqeblu deklaroi se ekipi do të jetë me mungesa, ndërsa theksoi se do të jetë me formacion ndryshe.

“Po vuajmë me shumë lojtarë që mungojnë, por objektivi im nuk është të ankohem, por t’i jap mundësinë lojtarëve që të luajnë. Tani është momenti për disa lojtarë që të tregojnë pse janë pjesë e Vllaznisë.

Nesër do luajmë me formacion ndryshe. Për këtë javë nuk ishim të vendosur kush do të luajë, po nga sot do të jemi më të vendosur për nesër. Kemi 24 orë kohë për të marrë të gjitha masat, që të marrim 3 pikë me Laçin. Nesër duam t’i bëjmë dhuratë tifozëve 3 pikë, e dimë që jemi pa tifozë po jemi mësuar gjatë karantinës që kemi luajtur pa ato.”

Brdaric u shpreh se objektivi është vetëm fitorja, por kishte ankesa për stërvitjen, pasi tha se kushtet nuk ishin shumë të mira, për shkak të fushës në “Reshit Rusi”, që nuk është me bar.

“Objektivi për nesër është të marrim vetëm 3 pikë. Ne jemi ekip në rritje, kushtet nuk kanë qenë mirë, nuk kemi bërë stërvitje në fushë me bar, por në fushë që nuk lëviz shumë topi, si “Reshit Rusi”, po shpresojmë nesër të japim maksimumin.”, deklaroi Brdaric.

Ndeshja mes Laçit dhe Vllaznisë, do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 14:00.

/tvklan.al