Presidenti gati të mbledhë partitë politike

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski mbrëmë publikisht i bëri thirrje shefit të shtetit që të thërrasë takim liderësh rreth iniciativës së LSDM-së dhe partnerëve të koalicionit që kërkojnë që sërish të mblidhet Kuvendi. Këtë thirrje, gjatë ditës së sotme, e ka bërë edhe Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

“Shfrytëzoj rastin që edhe një herë ta riafirmoj dhe ta përsërisë kërkesën për nevojën e thirrjes së një takimi liderësh ku në fakt do të bisedohej për çështjet kyçe që për momentin po ndodhin në vend dhe padyshim se në atë takim të liderëve si prioritet duhet të jenë shëndeti dhe jeta e qytetarëve respektivisht ajo që po ndodh me koronavirusin dhe si ndikon ndaj ekonomisë në Maqedoni”.

Nga ana tjetër, socialdemokratët, duke komentuar kërkesën e liderit të opozitës kanë theksuar se për momentin nuk ka nevojë për takim liderësh dhe se për vendin, me rëndësi është të tejkalohet pandemia dhe pasojat ekonomike.

“Ne vlerësojmë se nuk është koha të bisedojmë për zgjedhje. Ka kohë dhe do të bisedojmë për këtë. Fokusi ynë kryesor mbetet shëndeti i qytetarëve dhe masat ekonomike me qëllim që të ruajmë sa më shumë vende pune, t’u ndihmojmë qytetarëve dhe ta mposhtim këtë krizë të shkaktuar nga koronavirusi”.

Presidenti Pendarovski planifikon të organizojë takim liderësh në pjesën e parë të Majit. Nga kabineti i Presidentit për MIA-n kanë konfirmuar se në takimin e Majit do të bisedohet për zhvillimin e mëtejshëm të procesit politik në vend, si dhe për terminet e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Në këtë periudhë të gjitha përpjekjet dhe resurset shtetërore duhet të drejtohen drejt përballjes me pandeminë e COVID-19, kanë deklaruar nga kabineti i Presidentit Pendarovski.

Klan Macedonia