Michelle Trachtenberg, ylli i serialit “Gossip Girl” është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare.

The Post ka konfirmuar se aktorja e filmit “Harriet the Spy” u gjet e vdekur në apartamentin e saj në New York të mërkurën.

Sipas burimeve, nëna gjeti trupin e pajetë të së bijës në orën 8 lokale në kompleksin luksoz 51-katësh në Manhattan.

Trachtenberg ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrore, por ende nuk është konfirrmuar zyrtarisht. Së fundmi ajo i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje në mëlçi.

Burimet deklaruan se vdekja e saj nuk po hetohet si e dyshimtë.

Vitin e shkuar, fansat u shqetësuan për gjendjen shëndetësore të Trachtenberg pas disa fotove që ajo ndau në rrjetet sociale ku vërehej një ndryshim drastik në pamjen e saj.

Megjithatë, aktorja u kundërpërgjigj duke thënë: “Më shpjegoni pak si u dukërkam e sëmurë. Keni humbur kalendarin dhe s’e keni kuptuar që nuk jam 14 vjeç.  Jam 38. Sa e trishtë që komentoni gjëra të tilla”.

Shumë komentues thanë se nuk po përpiqeshin ta kritikonin, por ishin të shqetësuar sepse flokët dukeshin më të hollë dhe sytë kishin një ngjyrim të verdhë.

Në një postim tjetër, aktorja shkroi: “Nuk kam kryer kurrë ndërhyrje plastike dhe jam e shëndetshme dhe e lumtur”, teksa u kërkoi ndjekësve që “të shihnin” veten përpara se të komentonin./tvklan.al