Ditët e nxehta kanë rritur fluksin e vizitorëve në Voskopojë. Të ardhur nga zona të ndryshme të vendit ata zgjedhin të kalojnë pushimet mes freskisë së klimës alpine dhe gjelbërimit të pishave. Fshati turistik malor që ndodhet 19 km larg Korçës mbetet i preferuar sidomos për vizitorët besnikë, të cilët pushojnë aty gjithë verën.
“Jemi shumë të kënaqur, është një ambient i mrekullueshëm. Kemi vënë re ndryshimet që kanë ndodhur në Voskopojë për gjithë këto vite që vijnë ne këtu.”
Trashëgimia kulturore, kishat bizantine dhe manastiri tre shekullor i Shën Prodhomit pasurojnë ofertën turistike të Voskopojës, ndërsa kthimi i shtëpive nga vendasit në bujtina e ka mbajtur të pandryshuar çmimin e akomodimit.
“Vijnë edhe të huaj, gjermanë, polakë, italianë, por vijnë me guida. Kurse vendasit vijnë në fundjavë dhe ikin, tani vijnë për të pushuar nga dy ose nga tre javë. Vijnë nga Tirana, Durrësi, Elbasani.”
Voskopoja mbetet e preferuar edhe për vizitorët e huaj, kryesisht gjermanë, francezë, rumunë të cilët vijnë për të zbuluar traditën, kulinarinë, punimet artizanale dhe natyrën e bukur.
“Kanë interes shumë sidomos për këto punimet e dorës që ne bëjmë këtu, ju pëlqejnë shumë punimet e dorës, çantat, kuvertat që i punojmë me grep. Shumë bukur iu interesojnë.”
Pjesa më e madhe e hoteleve dhe bujtinave janë rezervuar më herët, ndërsa operatorët turistikë presin që fluksi i vizitorëve të vijojë edhe gjatë vjeshtës.
Tv Klan