Reshje intensive dëbore kanë përfshirë vendin gjatë 24 orëve të fundit në veri dhe në juglindje.
Në shumë akse rrugore ka mjaft problematika në qarkullimin e automjeteve. ByPassi në Qafën e Murrizit është bllokuar gjatë së dielës për shkak të dëborës së dendur.
Policia e Dibrës ka vendosur postbllok në rrethrrotullimin e Klosit duke drejtuar mjetet nga aksi i vjetër Klos-Burrel-Milot.
Trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës ka arritur rreth 20 cm, ndërsa në zonat e thella varion deri në 40 cm. Akset rrugore janë pjesërisht të kalueshme por me zinxhirë.
Ndërkohë, Policia bën apel që drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë nga Skuraj në drejtim te Ulzës, ta shmangin këtë segment rrugor pasi është e bllokuar rruga në Qafë të Ulzës.
Problematika ka pasur edhe në rrugët drejt Thethit e Tamarës në Qarkun e Shkodrës. Borëpastrueset prej mëngjesit janë në terren për të mbajtur rrugët e hapura.
Në Qarkun e Kukësit të gjitha akset janë të kalueshme, ndërsa ato drejt zonave të thella, lëvizja kryhet me zinxhirë. Në disa fshatra të thella raportohet për mungesë të energjisë elektrike.
Dëbora ka përfshirë edhe Qarkun e Lezhës. Në qytet dhe fshatrat përreth ka prezencë të dëborës e shoqëruar edhe me erë të fortë. Për shkak të kësaj të fundit janë dëmtuar disa shtylla të energjisë elektrike duke sjellë ndërprerje të saj në disa fshatra të Lezhës. Grupet e punës së OSHEE janë në terren për riparimin e defekteve.
Ndërsa në Bashkinë Kurbin raportohet për bllokim të aksit rrugor për në Kishën e Sh’na Ndoit ku kanë mbetur disa automjete të bllokuara.
Në Qarkun e Kukësit të gjitha akset janë të kalueshme, ndërsa ato drejt zonave të thella, lëvizja kryhet me zinxhirë. Në disa fshatra të thella raportohet për mungesë të energjisë elektrike.
Reshjet e dëbores kanë përfshirë edhe juglindjen. Akset nacionale në Korçë e Ersekë po mbahen në monitorim nga subjektet kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve. Drejtuesit e mjeteve duhet të kenë kujdes në fshatrat Dardhë, Vithkuq e Panarit ku trashësia e dëborës shkon në 20 centimetra.
Dëbora përfshiu edhe qytetin e Pogradecit, por nuk ka patur problematika ndërsa policia këshillon drejtuesit e automjeteve të bëjnë kujdes në zonën e Qafë-Thanës.
Moti i paqëndrueshëm ka përfshirë gjithë territorin pasi në disa qarqe ka patur reshje të dendura shiu. Në disa lagje të Vlorës rrugët e qytetit kanë patur permbytje.
Klan News