Partia Demokratike ka dorëzuar zyrtarisht në parlament amendamentet, duke pretenduar se nëpërmjet tyre të krijohen lehtësime për votuesit nga jashtë territorit të Shqipërisë.
Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi thotë se edhe emigrantë shqiptarë të cilët janë të pajisur me dokumente biometrike të shteteve të huaja ku ata jetojnë, të kenë të drejtën e votës.
“Çdo shtetas shqiptar i cili mund të identifikohet në mënyrë të besueshme duhet të votojë. Ai që nuk do të votojë është zgjedhje e tij, po ai që do të votojë mos të pengohet”, tha Oerd Bylykbashi.
Demokrati akuzon mazhorancën se pa asnjë arsye ligjore, nuk ka vullnet politik për të mbështetur propozimin e PD.
“Situata është e rëndë, qeveria e di, ajo i ka të dhënat, nuk i bën publike që ta fshehë këtë fakt, nuk merr hapa”, tha Bylykbashi.
Ivi Kaso, Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, thotë se mazhoranca duhet t’i kishte marrë masat për lehtësimin e regjistrimit të emigrantëve para 11 Janarit, duke e akuzuar edhe se krijon ngërçe të qëllimshme procedurale për t’u favorizuar në zgjedhje.
“Është një proces i cili nga pikëpamja teknike është lehtësisht i lehtë, i zgjidhshëm dhe i adresueshëm nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pra platforma PER e cila është ngritur nuk ka nevojë për adresime të sofistikuara teknike që ta zgjidhë këtë problem. Mjafton garancia ligjore, mjafton parashikimi ligjor dhe teknikisht është menjëherë e zgjidhshme kjo gjë”, tha Ivi Kaso.
Nëse amendamentet e tyre do të refuzohen nga PS, demokratët nuk janë të qartë nëse do i bashkohen ose jo votimit për ndryshimet në kodin zgjedhor.
“Nuk ka ndonjë draft të dakordësuar midis palëve politike. Pra ka shqetësime të dakordësuara të palëve politike të cilat veç e veç ose në momente seancash janë diskutuar me komisionerë shtetërorë dhe me komponentë të tjerë të KQZ-së, si me rregullatorin si në KAS kur ka shkuar një çështje e ngjashme”, tha Kaso.
“Pa u zgjidhur kjo, çdo gjë tjetër kuptohet që bëhet nul dhe jo në fjalët e mia po në fjalët e komisionerit shtetëror për zgjedhjet”, tha Bylykbashi.
Ndryshimet në kodin zgjedhor lidhen me shpenzimet që kanë të bëjnë me fletët e votimit për diasporën, zgjerimin e afateve duke i lënë më shumë kohë KQZ për të vijuar të gjitha proceduar që lidhen me voton nga jashtë territorit të shqipërisë si dhe në numërimin e votave të diasporës të përfshihen dhe komisionerë nga forcat politike.
Klan News