Qeveria e Kenias ka urdhëruar ditën e sotme evakuimin e banorëve për shkak të përmbytjeve. Shteti është në përpjekje të vazhdueshme për t’u bërë ballë fatkeqësive natyrore, shirat e rrëmbyer kanë shkaktuar shumë përmbytje dhe u kanë marrë jetën shumë qytetarëve. Rreth 178 diga dhe rezervuarë janë tej mbushur dhe mund të derdhen duke vënë në rrezik jetën e qindra banorëve që jetojnë pranë tyre.
Në një dalje për mediat Ministri i Brendshëm tha: “Digat dhe rezervuarët thuajse janë mbushur dhe rrezikojnë të derdhen, duke paraqitur një rrezik të lartë për personat që jetojnë afër tyre.”
Shirat e dendur të fundit kanë shkaktuar përmbytje të rënda dhe rrëshqitje të dheut në të gjithë Kenian dhe Tanzaninë. Presidenti William Ruto ka paralajmëruar se vendi mund të përballet edhe me një ciklon.
Në një fjalim drejtuar kombit, Presidenti William Ruto tha: “Ky ciklon, i quajtur Hidaya, mund të godasë në çdo kohë dhe parashikohet të shkaktojë shira të rrëmbyeshëm, erëra të forta dhe valë të fuqishme dhe të rrezikshme të cilat potencialisht mund të prishin aktivitetet detare në Oqeanin Indian dhe vendbanimet përgjatë bregun kenian”.
Ai paralajmëroi gjithashtu se shirat e dendur do të vazhdojnë duke u rritur si në kohëzgjatje ashtu edhe në intensitet për pjesën tjetër të këtij muaji ose ndoshta edhe në vazhdim. Gjithashtu u bë e ditur se të gjitha shkollat të cilat ishte menduar që të rihapeshin të hënën pas pushimeve të Pashkëve do të qëndrojnë të mbyllura deri në një urdhër të dytë.
Megjithatë pavarësisht përpjekjeve të saj, qeveria është kritikuar shpesh në lidhje me menaxhimin e situatës, shumë kritikë të zëshëm janë shprehur se masat kanë qenë të vonuara dhe jo efikase për të përballuar emergjencën, por duke mbyllur fjalën e tij presidenti i vendit u zotua se kabineti do të punojë në mënyrë më rigoroze për t’i bërë ballë “luftës me natyrën”.
“Kabineti vendosi që qeveria, tani e tutje, do të mbledhë vendin në zbatimin e masave, programeve dhe politikave që do të zbusin efektet e ndryshimit të klimës. Qeveria do të prokurojë tokë për ata që u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. Kemi ngritur më shumë se 100 kampe për të strehuar mbi 27,500 njerëz që janë prekur nga përmbytjet,” përfundoi fjalën e tij ai.
Ndërkaq që nga fillimi i përmbytjeve në mars të këtij viti, rreth 210 persona kanë vdekur në Kenia dhe 90 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Kurse në Tanzani përmbytjet u kanë marrë jetën të paktën 155 personave, gjithashtu bilanci i personave që rezultojnë të vdekur në Burundi është 29.
/tvklan.al