Shpërthimi i një dige pas shirave të dendur dhe përmbytjeve ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë në Kenia. Një zyrtar i Kryqit të Kuq ka konfirmuar se 50 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e ngjarjes. Teksa flinin, banorët në fshatrat pranë Mai Mahiu, u morën me vete nga ujërat e dendur.

Përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë për të nxjerrë njerëzit nga balta, me frikën se numri i të vdekurve mund të rritet. Zona Mai Mahiu, ku shpërtheu diga ngjan me një mbulesë balte, pemë të shkulura nga vendi dhe shtëpi të rrënuara. Banorët që arritën t’i shpëtonin përmbytjeve të frikshme, kanë rrëfyer momentet e panikut që kanë përjetuar në ato momente.

60-vjeçari, Deden Muiri ka treguar se kanë dëgjuar zhurmën dhe më pas ka parë një rrufe, por nuk kishte shumë kohë të mendonte se çfarë po ndodhte pasi për pak sekonda uji i kishte arritur deri në qafë.  Ai pa përmbytjen duke marrë gruan e tij. 60-vjeçari thotë se ishte i bindur se do të vdiste, por për mrekulli arriti që të rrëmbejë një degë peme dhe u ngjit lart saj.

Kryqi i Kuq i Kenias i është bashkuar operacioneve të kërkim-shpëtimit, ndërsa menaxheri i reagimit emergjent, Anthony Muchiri konfirmoi për BBC se numri i të vdekurve ka shkuar në 50./tvklan.al