Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë marrë në dispozicion përgjigjen e ekspertizës së thikës që u përdor për vrasjen e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Në përgjigjen që është dërguar nga laboratori i Policisë Shkencore deklarohet që në mjetin prerës janë përftuar dy profile ADN-je që i përkasin viktimës dhe shokut të tij që mbeti i plagosur.

Sipas burimeve të policisë, pavarësisht se nuk është gjetur profil ADN i autorit tek thika, qëndron fakti se është ai është vetë-plagosur pasi kjo ka dalë nga dëshmitë e të pranishmëve.

Sipas ekspertizës thika është përdorur vetëm nga autori i ngjarjes, 15-vjeçari i cili është i arrestuar.

Për këtë ngjarje pak ditë më parë policia mori edhe dëshminë e babait të viktimës, i cili i tha hetuesve se shkolla nuk e kishte njoftuar për sherrin që u regjistruara disa ditë para krimit të rëndë.

Sherri mes të miturve ndodhi në 18 Nëntor, rreth 200 metër larg shkollës “Fan Noli”, konflikt që kishte nisur disa ditë përpara. I mituri ndërroi jetë në spitalin e Traumës, ndërsa i plagosur mbeti edhe shoku i tij. Ky i fundit është dërguar për kurim në Itali.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarje, i cili gjithashtu mbeti i lënduar, ndodhet në institucionin e vuajtjes së dënimit për të mitur në Kavajë, me masën “arrest në burg”. Këtë masë nëpërmjet avokatit ka kërkuar që ti ndryshohet me argumentin se krimin e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes.

Klan News