Një muaj nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani në afërsi të shkollës “Fan Noli” bashkëmoshatari i tij, prindër dhe qytetarë ditën e mërkurë më 18 Dhjetor, kanë thërritur protestën e pestë për siguri në shkollë.
“Edhe pse kanë kaluar shumë ditë, edhe pse janë zhvilluar disa protesta, dhjetëra emisione televizive dhe takime shkollë për shkollë, ne ende nuk kemi një version përfundimtar për ngjarjen tragjike që i mori jetën Martinit dhe plagosi shokun e tij, Luisin. Kjo e bën më të madhe përmasën e ngjarjes, më të rëndë gjendjen e prindërve dhe më të pasigurt në ambientin shkollor,” tha Gentian Serjani.
Thirrje për drejtësi kanë bërë edhe prindërit e 14-vjeçarit Martin Cani, të cilët i janë drejtuar me një letër Ambasadës se shteteve të bashkuara të Amerikës. Ku ju kërkojnë që të ndjekin me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit.
“Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që na shkaktuan humbjen e djalit. Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllain e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi dhe,” shkruhet në letrën e familjes Cani.
Ngjarja tragjike në shkollën “Fan Noli” është pasuar edhe nga ngjarja të tjera të rënda, përfshi edhe plagosjen e një nxënësi tjetër brenda në shkollës. Ndaja grupi organizator i protestës kërkojnë që arsimi dhe siguria në shkollë të jetë emergjencë kombëtare.
“Në një moment kur drejtësia për Martinin akoma nuk është vënë, megjithëse nesër bëhet një muaj nga ngjarja tragjike, dhe siguria në shkolla po duket gjithnjë e më e brishtë, është detyrë e secilit prej nesh të reagojë ndaj kësaj situate. Në orën 13:00, do të jemi përpara shkollës “Fan Noli”, fillimisht për të kërkuar drejtësi për Martinin dhe siguri për fëmijët në shkollat shqiptare. Bashkohuni!”, bëri thirrje Gentian Serjani.
Protesta do të jetë në formën e marshimit, nis në orën 13:00 në shkollën “Fan Noli” dhe më pas do të shkojnë drejtë Ministrisë së Arsimit.
Klan News