Partia Demokratike ka depozituar sot një kallëzim penal në prokurori, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. Sipas kësaj force politike, ka disa shkelje që sollën humbjen e jetës së 17-vjecarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës, një muaj më parë.

PD thotë se zanafilla e paligjshmërisë nis me krijimin e shoqerisë Eco Tirana, me dhënien e 49 përqind të kapitaleve një firme italiane, pa garë, pa konkurs pa transparencë, dhe më pas me kushtet e rënda të paligjshmërisë në punën që bëhej në landfillin e Sharrës, ku për të gjitha është përgjegjës, drejtuesi i Bashkisë, Erjon Veliaj.

Pas hulumtimit, ekspertët e PD kanë zbuluar të gjitha shkeljet e Veliajt, dhe ai kallëzohet për;

1- ”Shpërdorim detyre” neni 248 KP

2- “Shpërdorimi i kompetencave” neni 164 KP

3- “Punësimi i paligjshëm” neni 170/a KP

4- “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” neni 251 KP

5- “Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti” neni 256 KP

6- “Përfitimi i paligjshëm i interesave” neni 257

7- “Shkelja e Barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankandeve” neni 258 

Gjithashtu Veliaj akuzohet se po vazhdon të favorizojë financiarisht kompaninë ECO Tirana, për të cilën ka akorduar 2.5 milionë euro që në vitin e parë të punës.

Kjo përbën shkelje të nenit 33/1/d të ligjit “Për organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor që e ndalon Bashkinë e Tiranës të akordojë fonde shtetërore në favor të shoqërive tregtare në bashkëpronësi dhe ku njësia vendore nuk zotëron Kapital të plotë të shoqërisë. Prokuroria e Tiranës është duke hetuar vdekjen e 17-vjecarit Ardit Gjoklaj, ku ka arrestuar disa persona./ TV KLAN