Të ftuar:
Akil Pano – Pastor
Anila Çobani – Ekonomiste
Anora Kroj – Psikologe
Doloreza Rrapollari(Petrela) – Ekonomiste
Gazetare: Ermelinda Ndoja
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Mëlçi pule me qepë, hudhra dhe dafinë
Petulla me aromë limoni
“Arti” i të qenit gjyshër
“Jam nona!” Doloreza Rrapollari tregon si është të jesh një gjyshe moderne
“Më kanë dalë nga hundët!”, tha me humor Doloreza Rrapollari gjatë bisedës në “Shije Shtëpie” në Tv Klan teksa nisi të fliste për mbesat. Ekonomistja kalon çdo ditë me to dhe janë frymëzimi pas librit që ka shkruar. Për Dolorezën nuk janë “mjalti i mjaltit”, por mendon se kjo është mosha kur njeriu mëson të dojë me butësi e pjekuri duke e shijuar momentin.
Për të përshkruar sesi është ajo si gjyshe, Doloreza zgjedh sërish humorin dhe duke treguar se s’është shumë tradicionale.
Doloreza Rrapollari: Unë jam një ato gjyshe ndryshe sa shpeshherë babai i vajzave më thoshte që do të t’i jap vetëm kur të shkojnë në universitet sepse, të më falni pastor, u mësoja ndonjë fjalë jo të hijshme se në mungesën e djalit, unë s’kam as djalë, as vëlla dhe doja t’i bëja kështu, por i kam rritur shumë mirë dhe janë bërë vajza shumë të mira. E madhja është 9 vjeç dhe është gati një zonjushë dhe në atë natyrën time, gjyshja tjetër është nga jugu, unë jam tiranase, i vura dhe barrikadë, unë jam nona, jo nëna!
Ermelinda Ndoja: Pra, ti do të dominoje në raport me gjyshen tjetër, një gjyshe e hekurt.
Doloreza Rrapollari: Unë jam gjyshja e hekurt, është e vërtetë. Sa jam e butë, jam edhe e hekurt, se jam edhe e butë. Madje kur u kemi vënë emrat, unë i fus pak turinjtë më shumë se ç’duhet. Kam hasur në vështirësinë e dhëndrit se vajza normalisht që më dëgjon dhe më mirëkupton, por kam ndikuar edhe te vënia e emrave. Madje direkt sa ua vura, i bëra edhe tatuazh që mos të lëviznin fare.
Jo vetëm kaq, por ajo nuk i ndan mbesat nga vetja as kur vizitojnë “vende të çuditshme”.
“Unë pa lejen e prindërve i çoj në disa vende të çuditshme dhe kur vij pastaj has ndonjëherë në kritika dhe rri si e zënë në faj, por vazhdoj prapë jetën time dhe ato më duan shumë”, u shpreh ajo duke zbuluar se një prej alternativave është stadiumi.
Të jesh gjysh/e në 2025-ën
U tmerrua nga ideja e të qenit gjyshe, lindja e mbesës i theu të gjitha rregullat: M’u prenë gjunjët
Lajmi se do të bëhej gjyshe ishte një përzierje emocionesh për Doloreza Rrapollarin. Në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ekonomistja ndan një rrëfim të sinqertë ku tregon se në momentin e parë e ndjeu veten shumë të plakur nga roli i ri.
Kjo zgjati deri në momentin e ardhjes në jetë të mbesës ku ajo as nuk duroi për ta parë por vrapoi e para. Ai çast ndryshoi mendimet e saj të mëparshme lidhur me disa rregulla që do të vendoste duke e bërë ta pranonte me plot dëshirë fjalën “gjyshe”.
Doloreza Rrapollari: Mua më ka ndodhur një çudi. Në momentin që mora vesh që vajza do të bëhej me vajzë, jam mërzitur shumë. Ajo… të qenit gjyshe m’u duk një gjë e tmerrshme dhe kam mbushur sytë me lot, të më falin edhe vajzat që tani luaj mendsh për to, më thotë “çfarë ke mi grua?” I thashë dëgjo, do të vëmë ca rregulla, kur të lindë vajza, nuk do të më thërrasë nëna, por do të më thërrasë në emër sepse më dukej vetja shumë plakë, të them të drejtën. Edhe në momentin e parë që ka dalë në jetë, e kam parë unë para babait dhe nënës së vet se kështu jam unë, hyra unë e para.
Katerina Trungu: Si ke hyrë në maternitet, çfarë ke bërë?
Doloreza Rrapollari: Ku nuk hyj! Madje ua çoja dhe me foto, u thosha me lekë foton se unë e pashë e para. Aty ndryshoi komplet historia. Kam mbushur sytë me lot, më janë dridhur gjunjët dhe jam mbajtur aty te parmakët dhe thashë unë jam nona, unë jam nona! Pavarësisht se pamja e parë m’u duk si gjyshi nga babai dhe u mërzita një çikë kur e pashë, thashë nuk na ngjaka, s’qenka si ne, por e mblodha veten menjëherë, thashë hajt se do të rregullohet rrugës, do të bëhet si ne. Aty pastaj, që nga ai moment e deri në ditët që flasim, unë mora rolin e gjyshes shumë bukur, e mora shumë seriozisht por një gjyshe me ca koncepte shumë të çuditshme.
Quiz / Loja telefonike