Akuzohet se mbolli kanabisin bashkë me djalin
Rrok Pepaj, babai i Danjel Pepajt, i akuzuar për vrasjen e dy të rinjve në Malësinë e Madhe, është vënë në prangat e policisë me akuzën e kultivimit të kanabisit. Pepaj dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij, mbollën në fshatin Vrith disa rrënjë kanabis, shumë pranë vendit ku u ekzekutuan Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj.
Policia njoftoi zyrtarisht se në vendin e quajtur “Rrenza e Grecajve”, pas 5 ditë kërkimesh u gjeten trupat e pa jetë të dy të rinjve, si dhe 29 rrënjë hashash. Sipas hetuesve, trupat e viktimave u gjetën të ndarë nga njeri-tjetri, ndërsa dyshohet se janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga 25-vjeçari.
Shkak për krimin e rëndë dyshohet se është bërë konflikti për vjedhjen e një sasie me kanabis që viktimat akuzonin se ua kishte vjedhur kushëriri i tyre Danjel Pepaj. Ky i fundit dyshohet se është larguar drejt Malit të Zi, ndërsa është shpallur në kërkim, me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, armë mbajtje pa leje dhe kultivim i bimëve narkotike. Ndërkohë policia ka marrë në ruajtje familjen e Danjel Pepajt, për shkak të frikës së hakmarrjes nga familjet e dy viktimave.
Tv Klan