Një atentat i organizuar i ka marrë jetën një 30-vjeçari nga Rrësheni, në autostradën Fier-Vlorë, rreth orës 18:30 në afërsi të fshatit Novoselë.

Sipas asaj që raporton korrespondenti i Klan News, Martin Marku pas atentatit, policia e Mirditës ka ushtruar kontrolle në banesa në qytetin e Rreshënit, por edhe ka ngritur pika të ndryshme kontrolli në hyrje dalje të qytetit.

Burime për gazetarin bëjnë me dije se nga kontrollet e ushtruara në banesa, policia ka shoqëruar për në komisariat personin me iniciale M.R. Sipas po të njëjtave burime bëhet e ditur se ai po merret në pyetje në lidhje me dinamikën e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e sotme në Vlorë ku ra pre e një atentati Kristian Marku.

Ndërkohë më parë kemi raportuar se viktima ishte me precedent penal dhe ka qenë i dyshuar për “vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Sa i përket autorëve, ata dogjën makinën disa metra larg vendngjarjes dhe dyshohet se më pas u arratisën me një automjet tjetër. Mjeti i përdorur në krim ishte “Volkswagen Golf” me targa të vjedhura.

/tvklan.al