Kristian Marku, viktima e atentatit me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Fier-Vlorë, rezulton të jetë një person me precedentë penalë. 30-vjeçari ka qenë i akuzuar për “Vrasje me dashje në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.
Kristian Marku alias Kristi Bardhi dyshohej si një nga autorët e ngjarjes së 26 Marsit 2023 të ndodhur në Rrëshen ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit.
Për ngjarjen, një ditë më pas u arrestua Martin Bardhi si një nga autorët e të shtënave me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit në Rrëshen.
Gjithashtu, Policia dyshonte se bashkëpunëtorë në krim ishin djali i Martin Bardhit, Erind Bardhi, si dhe viktima e atentatit të mbrëmjes së sotme, Kristian Marku alias Krist Bardhi.
Uniformat blu ngritën dyshime se shkak për ngjarjen e rëndë u bë një konflikt për motive të dobëta për vendparkim.
6 muaj më pas, më 26 Shtator 2023, në lokalin e tij në qendër të qytetit të Rrëshenit, Martin (Marku) Bardhi u qëllua për vdekje teksa ishte në shoqërinë e 3 personave që mbetën të plagosur. (Lexo më shumë).
Martin Bardhi kishte pak kohë që ishte liruar nga qelia e burgut. Ai ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje pasi në muajin Mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin e dështuar, pikërisht ndaj Saimir Reçit (Lexo më shumë).
Autorët e ngjarjes ishin dy persona të maskuar të cilët u larguan me një fuoristradë e cila u gjet e djegur në fshatin Gëziq të Mirditës.
Një ditë pas vrasjes së Martin Bardhit (27 Shtator 2024), Policia shoqëroi disa persona, mes tyre edhe Saimir Reçin, i cili pati dhe konfliktin me viktimën në Mars të atij viti. Bashkë me të u shoqërua edhe i ati i tij. Anëtarët e fisit Reçi mohuan përfshirjen në atentat./tvklan.al