Një atentat i organizuar i ka marrë jetën një 30-vjeçari në autostradën Fier-Vlorë, rreth orës 18:30 në afërsi të fshatit Novoselë.

Viktima është Kristian Marku 30 vjeç nga Rrësheni. 30-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me makinë tip Volkswagen kur u qëllua në lëvizje nga një tjetër automjet.

Viktima ishte me precedent penal dhe ka qenë i dyshuar për “vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Në vendngjarje shkuan forcat e policisë duke bërë rrethimin e zonës si dhe ngritjen e postblloqeve.

Sa i përket autorëve, ata dogjën makinën disa metra larg vendngjarjes dhe dyshohet se më pas u arratisën me një automjet tjetër. Mjeti i përdorur në krim ishte “Volkswagen Golf” me targa të vjedhura.

Kush ishte Kristian Marku?

Kristian Marku alias Kristi Bardhi dyshohej si një nga autorët e ngjarjes së 26 Marsit 2023 të ndodhur në Rrëshen ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit. Për këtë ngjarje u arrestua në atë kohë Martin Bardhi. Uniformat blu dyshonin se të përfshirë ishin edhe djali i Martin Bardhit dhe viktima e sotme (13 Janar 2025), Kristian Marku. Por nuk arritën ta provonin përfshirjen e këtij të fundit dhe u la i lirë nga akuzat. Kristian Marku ishte nipi i Martin Bardhit.

Informacioni paraprak i Policisë Vlorë:

Rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin K. M., 30 vjeç, i cili ka humbur jetën.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.


Informacioni shtesë i Policisë Vlorë:

Në vijim të veprimeve hetimore lidhur me vrasjen me armë zjarri të shtetasit K. M., në autostradën Fier-Vlorë, pranë vendit të quajtur “Kripa”, është gjetur i djegur automjeti tip “Volkswagen Golf”, i dyshuar i përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje. Nga verifikimet paraprake, rezulton se targat e automjetit tip “Golf” janë denoncuar të vjedhura më herët.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore dhe këqyrjen e automjetit të djegur për të siguruar çdo gjurmë që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.


/tvklan.al