Një gjykatë në Britaninë e Madhe i ka hapur dritën jeshile ekstradimit të 4 prej 5 të arrestuarve për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në prill të vitit të kaluar në Shëngjin.
Gjyqtari Daniel Sternberg i Gjykatës City of Westminster Magistrate Court, vendosi pro ekstradimit në Shqipëri të Edmond Haxhisë dhe të tre britanikëve, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman.
Vendim nuk u mor për Steven Hunt i cili është diagnostikuar me sëmundje të rëndë.
4 të arrestuarit kanë të drejtën e apelimit në një tjetër shkallë të gjyqësorit në Britaninë e Madhe, për të shmangur ekstradimin drejt Shqipërisë.
4 britanikët dhe Edmond Haxhia akuzohen nga Prokuroria e Lezhës se bashkëpunuan me portugezin Ruben Saraiva për të vrarë biznesmenin Nikulaj. Sipas autoriteteve, Saraiva mbërriti në vendin tonë për të finalizuar planin e thurur dhe financuar nga Edmond Haxhia.
Ruben Saraiva u ekstradua nga Maroku në 31 Dhjetor të vitit të shkuar, dhe prej atëherë në çdo seancë gjyqësore ka mohuar autorësinë.
Ngjarja dyshohet se është kryer për gjakmarrje. Kjo ngjarje në Lezhë, dyshohet se prodhoi edhe 2 viktima të tjera, njëri prej tyre nipi i biznesmenit Nikulaj.
Klan News