Policia e Tiranës ka shtrirë hetimet për vrasjen e Klaudio Prendit edhe në pistën e fajdeve dhe basteve sportive. Hetuesit kanë dyshime se 27-vjeçari u ka pasur borxhe disa personave dhe për këtë është konfliktuar disa herë me ta. Ka dyshime se persona të ndryshëm të kenë fituar shuma të mëdha parash në baste, të cilat Prendi nuk ua ka dhënë.

Pas kryerjes së ekspertizës, rezultoi se mjeti tip Audi A4 që përdorën autorët është vjedhur para një viti tek Liqeni Artificial dhe është denoncuar nga pronari në polici. Identifikimi është bërë pas rikuperimit të numrit të shasisë, ndërsa autorët i kishin vendosur targa greke.

27-vjeçari është qëlluar me disa plumba me pistoletë me silenciator në momentin që është futur në makinë pasi la lokalin në zonën e Xhamllikut në kryeqytet. Siç shihet dhe në video, mjeti i autorëve është ndalur paralel me makinën e Prendit. Pasi e kanë qëlluar, ata janë larguar me shpejtësi dhe pas 30 minutash është raportuar në policinë për mjetin e djegur në zonën e Farkës.

Klaudio Prendi është djali i ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Fran Prendi.

Klan News