2 persona kanë përfunduar në prangat e policisë në Tiranë, për shitje droge. Sipas njoftimit zyrtar të bluve, janë sekuestruar doza kokaine me vlerë mbi 28 mijë euro dhe 600 mijë lekë. Është proceduar penalisht edhe bashkëshortja e njërit prej të arrestuarve. Mësohet se ajo sapo ka parë policinë, ka hedhur lëndën narkotike nga ballkoni.


Sekuestrohen doza kokaine, 28 700 euro dhe 600 000 lekë, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Procedohet penalisht bashkëshortja e njërit prej tyre, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fusha të ndryshme, bazuar në informacionet e siguruara për dy raste të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, kanë intensifikuar kontrollet për goditjen e këtyre rasteve.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapë kapur në Shkozë dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin F. B., 66 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje, 8000 euro dhe 600 000 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e 66-vjeçarit, shtetasen Sh. B., pasi sapo ka parë shërbimet e Policisë që kishin shkuar për kontroll, ka hedhur nga ballkoni i banesës, disa doza lënde të dyshuar narkotike kokainë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë kapur dhe arrestuar shtetasin R. D., 36 vjeç, banues në Malësi të Madhe, pasi gjatë kontrollit fizik në rrugën “Studenti” shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe 20 700 euro që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

/tvklan.al