Grupi hetimor ka shpresë se në automjet do gjenden prova të forta për ngjarjen
Mbetet ende mister vendi ku është fshehur automjeti tip “Passat” ngjyrë gri, që u përdor nga Fredi Rrushi në vrasjen e shokut të tij 43-vjeçarit Ruzhdi Hoxha. Ky mjet, sipas burimeve, nuk është në pronësi të Fredi Rushit, por ky i fundit kishte një akt-noterial përdorimi gjatë dy viteve të fundit. Policia ka marrë në pyetje pronarin e mjetit, i cili ka treguar se makina tip “Passat” përdorej nga Rrushi gjatë viteve të fundit.
Gjetja e këtij mjeti është e rëndësishme për grupin hetimor, pasi dyshohet se brenda makinës është vrarë me dy plumba 43-vjeçari Hoxha. Në momentin kur Fredi Rrushi është paraqitur në komisariatin nr.5 për të dëshmuar për humbjen e shokut të tij, ai ka shkuar bashkë me një tjetër person bashkë me makinën “Passat”. Pasi kanë dhënë dëshminë, shoku i Fredi Rrushit ia ka dhënë makinën, Pajtim Rrushit.
Ky i fundit në deklaratën e tij para oficerëve të policisë, nuk ka pranuar asgjë mbi akuzat për fshehje të kufomës dhe veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës. I pyetur dhe për vendin ku ka fshehur makinën e përdorur në krim ai është shprehur se ka mungesë kujtese si pasojë e Covid-it dhe kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i dehur dhe nuk kujtonte veprimet që ka bërë.
Grupi hetimor, duke ndjekur itinerarin e mjetit, ka bërë të mundur dhe gjetjen e trupit. Blutë dhe prokuroria e Tiranës dyshojnë se Ruzhdi Hoxha është vrarë brenda në mjet dhe më pas është hedhur në humnerë, ku trupi i tij është mbuluar me gurë një ditë më vonë pas ekzekutimit.
Klan News