Prokuroria kërkon “arrest në burg”, hetime për motivet e krimit
Prokuroria e Tiranës kërkon lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest në burg” për dy vëllezërit Fredi dhe Pajtim Rrushi që dyshohet të kenë bashkëpunuar për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha.
Prokuroria dyshon se autor i vrasjes është pikërisht Fredi Rrushi, ndërsa vëllai i tij është bashkëpunëtor në rrëmbimin dhe fshehjen e viktimës. Të dy vëllezërit mësohet se i kanë mohuar akuzat, ndërsa grupi hetimor po punon për gjetjen e armës së vrasjes dhe makinës së përdorur në realizimin e këtij krimi.
Pajtim Rrushi, i cili mësohet se ka qenë prej ditësh në vëzhgim nga autoritetet, nuk pranon të tregojë se ku është makina tip Passat, që sipas hetuesve është vërtetuar që është marrë prej tij pas krimit.
Ruzhdi Hoxha u vra me dy plumba dhe më pas u hodh në një greminë në Qafë Mollë, ku u mbulua me gurë e zhavorr, dyshohet mbrëmjen e 20 Tetorit.
Pikërisht në këtë datë viktima dhe autori i dyshuar u takuan në një kafe në një lokal në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës. Prej andej janë larguar bashkë dhe siç rezultoi kanë marrë rrugën për në zonën e Dajtit.
Në zonën ku u gjet trupi, gjatë kontrolleve u konstatua edhe një parcelë kanabisi që rezulton në pronësi të Fredi Rrushit, duke ngritur dyshime për konflikte që mund të kenë lindur për kanabisin. Megjithëse hetuesit nuk përjashtojnë konflikte të tjera të lindura për shkak të biznesit.
Tv Klan