Janë shoqëruar në komisariat 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë, ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkozë. Sipas policisë, njëri prej tyre është 20 vjeç ndërsa 3 të tjerët të mitur.
Kujtojmë se pas një konflikti për motive të dobëta, ata janë konfliktuar me 18 vjeçarin, i cili fatkeqësisht humbi jetën. Mësohet se këtë të fundit e goditën me thikë.
“Identifikohen dhe shoqërohen në ambientet e Policisë, 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Shkozë. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt të çastit me mjete prerëse mes disa personave, ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën shtetasi A. D., 18 vjeç, ju informojmë se:
Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet per dokumentimin e plotë të ngjarjes. Nga veprimet paraprake hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas mbrëmjen e djeshme, duke qarkulluar me automjet, janë konfliktuar per motive të dobëta me shtetasit që ndodheshin në automjet me 18-vjeçarin. Më pas konflikti ka agravuar me mjete prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, i cili si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë rrugës për në spital”, thotë Policia./tvklan.al