Një polic kufitar serb është vrarë mbrëmë dhe një tjetër është plagosur në territorin e Serbisë në afërsi të kufirit me Bosnje-Hercegovinën. Autoritetet serbe pretendojnë se në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë kosovare dhe një letërnjoftim gjerman me emër të Artan Hajrizit.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se janë duke punuar intensivisht për ta identifikuar nëse vrasësi i policit në Loznicë është personi të cilit iu gjetën dokumentet, Artan Hajrizi apo vëllai i tij Fatoni, i cili u arratis nga burgu në Kosovë më 6 Korrik. Por ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që mund të jetë edhe identitet i rremë.
“Po përcaktojmë nëse vrasësi është personi të cilit i kemi gjetur dokumentet apo është vëllai i tij. Ka mundësi që të jetë një identitet i rremë. Do të kuptohet se kush dhe si e mori të dyshuarin në Preshevë, si ka hyrë në Serbi pa u regjistruar e kështu me radhë, të gjithë do të arrestohen”
Për rastin ka folur edhe kryeministri Albin Kurti: Nuk kam diçka shtesë, por organet tona të sigurisë dhe të rendit po e grumbullojnë informacionin.
Nga stacioni policor në Gjermani është lajmëruar për Insajderin vetë Artan Hajrizi duke thënë se i janë vjedhur dokumentet nga vëllai i tij.
“Dokumentet m’i ka vjedhur. Ka ardhur tek unë për të qëndruar me disa shokë. Ka qëndruar tek unë 2 orë. Kjo ka ndodhur para 2 ditësh. Unë nuk jam fajtor për këtë punë. Nuk kam qenë në dijeni që m’i ka marrë dokumentet. Se dokumentet e Gjermanisë nuk ia jap askujt. Kam hequr 15 vjet për t’i bërë edhe me i prish për një ditë, atë nuk e bëj. Nuk e kam bërë kurrë as nuk e bëj.”
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë.
Tv Klan