Pse serbët në veri të Kosovës bojkotuan unanimisht votimin në veri të kosovës? Sipas analistit Artan Behrami, kjo ka ndodhur sepse serbët lokalë janë gjendur të presionuar nga Beogradi.


Megjithatë, sipas tij, ky proces i dështuar votimi do shërbejë për të lehtësuar Asocacionin.

“Duke pasur 4 kryetarë shqiptarë në ato komuna, Kurti do ta ketë më të lehtë që të kapërdijë projektin dhe Asocacionin e Zajednicën. Frika e serbëve lokalë ndaj strukturave kriminale paralele të Serbisë në veri është evidente, janë marrë peng shpesh prej tyre. Vuçiç i ka kontrolluar përmes frikës, jo investimeve. Shumica e parave të investuara në veri është kthyer si para e shpëlarë në xhepat e liderëve politikë atje. Pra, Serbia asnjëherë nuk ka investuar asnjëherë te qytetarët, Serbisë dhe Vuçiçit nuk u interesojnë serbët lokalë, por territori. Madje nuk i intereson as Asocacioni, mendoj se këtë e ka lojë.”

Përmes një lidhjeje direkte për Klan News, Behrami foli edhe për qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj shtetit të Kosovës.

“Presioni ndërkombëtar mbi Kosovën është i padrejtë, sepse përpos sanksioneve ekonomike, Kosova e ka dhe një barrë tjetër që është Gjykata Speciale. Të gjitha kanë vetëm një qëllim, rishkrimin e historisë, që të paraqesin edhe njëherë se në Ballkan të gjithë janë të njëjtë. Duke “përkëdhelur” Serbinë, është keqpërdorur mbështetja amerikane, duke luajtur lojëra. Ka pasur një përmbysje të politikës ndërkombëtare të Kosovës e cila ka qenë e koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi një përpjekje të zotit Kurti për “t’i ngjarë” Vuçiçit. Ai ka krijuar narracionin se duke i thënë jo Amerikës, duke mos u koordinuar me ta, fiton në dialog. Tani e ka parë se vetëm duke u koordinuar është rruga e vetme. Shpëtimin e vetëm, e shoh te SHBA, sepse BE e sheh situatën si një serial Netflix me 100 episode ku ka shumë dramë, por jo një fund të bukur.”

Behrami thotë se rruga më e mirë për një zgjidhje paqësore është që Kurti të krijojë dialog me serbët në veri të Kosovës.

Ai duhet të fillojë një dialog me serbët lokalë, që ka munguar prej vitesh. Nuk mjafton të bëhet me forcë të Policisë, sepse është stabilitet që mbahet për një periudhë të caktuar, por është artificial dhe shpërthen. Duhet dialog për të pasur paqe të qëndrueshme.”/tvklan.al