Mjekët: Ka pasur probleme me zemrën, jashtë rrezikut
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shtrirë në spitalin ushtarak të Serbisë për shkak të problemeve me zemër. Vuçiç është pranuar në këtë qendër spitalore të premten dhe siç kanë bërë të ditura burime në Presidencë, Vuçiç është jashtë rrezikut për jetën, por është mbajtur për trajtim.
Lajmin e ka konfirmuar këshilltarja e Presidentit Vuçiç, Suzana Vasiljeviç, e cila ka saktësuar se Vuçiç është mbajtur për shkak të kujdesit parandalues. Kjo ka alarmuar shtypin serb dhe ka nxitur informacione të ndryshme rreth gjendjes së tij.
Vuçic, sic dihet, ka qenë sëmurë edhe më parë në disa raste dhe ka udhëtuar vite më parë drejt Moskës për disa kontrolle shëndetësore, por nuk ishte saktësuar se për çfarë bëhet fjalë. Gjendja e tij shëndetësore ishte mbajtur sekret.
Vuçiç ka arritur në orët e mbrëmjes në spital dhe bëhet fjalë për probleme kardiovaskulare për të cilat është duke u trajtuar, por bashkëpunëtorët e tij thonë se mëngjesin e së shtunës është ndjerë më mirë dhe se për shëndetin e tij janë duke u kujdesur mjekët më të mirë në vend.
Tv Klan