Dalja e e paralajmëruar e presidentit serb Aleksander Vuçiç u prit me kërshëri për faktin se ai do të shpallte dhe mënyrën se si do të sillej me Kosovën, në raport me atë që ai e quan si mbrojtje nga persekutimi i serbeve nga qeveria Kurti.

Ai paraqiti 7 kushte e reja për tejkalimin e situatës së krijuar me serbët në veri, duke filluar me përsëritjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe, të cilët u bojkotuan nga mbi një vit më parë në monitorimin e ndërkombëtarëve.

Pikat e tjera janë kthimi i serbëve në institucionet si polici dhe në gjykata, tërheqja e forcave të policisë së Kosovës, krijimi i asociacionit të komunave serbe dhe kryerja e pagesave me shërbimet postare të Serbisë në valuten e dinarit”.

Ai paralajmëroi dhe vendime të tjera që sipas tij janë në mbrojtje të popullsisë serbe ne Kosovë.

“Parlamenti i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditësh për të shpallur Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët. Do të themelojmë një prokurori të posaçme që do të ndjekë të gjithë ata që kryejnë përndjekjen e serbëve në Kosovë, përfshirë serbët që punojnë për shërbimin shqiptar”.

Qeveria Kurti nuk ka dhënë ende ndonjë koment për këto 7 propozime që në fakt synojnë rikthimin e status quo, të gjendjes së mëparshme në veri të Kosovës.

Përpara konferencës së Vuçiç, Kryeministri Albin Kurti me anë të një postimi të tij tha se “Vuçiçi në bashkërendim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”.

Tv Klan