25 mijë trupa të Gardës Kombëtare do të ruajnë sigurinë
Pak ditë nga marrja zyrtare e postit nga Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara, kryeqyteti i Washingtonit është i blinduar.
Mijëra pjesëtarë të njësive speciale të Gardës Kombëtare kanë zënë pozicionet e tyre për mbarëvajtjen e ceremonisë së shkëmbimit të stafetës së pushtetit tek Biden nga zv/presidenti në detyrë Mike Pence në mungesë të Donald Trump-it, që ka njoftuar mospjesëmarrjen në ceremonitë e 20 Janarit.
25 mijë trupa të Gardës Kombëtare do të angazhohen për ceremonitë e të Mërkurës. FBI është duke kryer teste psikologjike për çdo rezervist që angazhohet në kryeqytet ditën e betimit të presidentit të ri. Zyra federale e hetimit synon shmangien e ngjarjeve të paparashikuara që autorë mund të kenë edhe vetë forcat e rendit në një atmosferë të ekstremizuar politike.
Frika e trazirave që mund të organizohen nga mbështetësit e Trump-it, ashtu si më 6 Janar, ka detyruar deri më tani 10 shtete federale të kërkojnë angazhimin e Gardës Kombëtare.
Sakaq mediat shkruajnë se presidenti Trump ka ndërmend të japë amnisti për gati 100 ish-bashkëpunëtorë të tij gjatë administratës, përfshirë edhe avokatin Rudi Giuliani që është në proces gjyqësor për evazion fiskal, si dhe ish-kryekëshilltarin Steve Bannon.
Tv Klan