Ambasadorja Yuri Kim ka takuar ditën e sotme kreun e ri të SPAK, Altin Dumani.

Në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Facebook thuhet se Yuri Kim e uroi Dumanin për postin e ri drejtues duke theksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për prokurorët dhe hetuesit e SPAK.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, për ta uruar atë për postin e tij të ri drejtues. Ajo ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbëstesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin”-njofton ambasada e SHBA-së./tvklan.al