Opozita: Premtime boshe
Thuajse një orë mandatari dje lideri socialdemokrat Zoran Zaev, nga foltorja e Parlamentit ka prezantuar programin që së bashku me 19 ministrat, premtoi se do ta realizojnë në katër vitet e ardhshme. Qëllimi i partive të koalicionit qeverisës, LSDM-BESA, BDI dhe PDSH është progresi në të gjitha fushat e jetës, tejkalimi i Covid-krizës dhe kalimi i pasojave.
“Ekonomia e re e RMV-së dhe rritja e përshpejtuar ekonomike janë në faqet e para të programit të punës së qeverisë së re për mandatin 2020 – 2024. Qëllimi përfundimtar është shkallë njëshifrore e papunësisë deri në përfundim të mandatit. Pason periudha e reformave strukturore në administratën publike që të bëhet më efikase. Gjykatësit për të cilët do të dëshmohet se me vetëdije dhe me qëllim ka vjetërsuar lëndët do të shkarkohen”.
Lideri Socialdmokrat Zaev premtoi thuajse gjithçka atë që qytetarët me vite duan ta shohin në Maqedoni. Paga më të larta, vende pune, investime në infrastrukturë, spitale e shkolla të reja, drejtësi për të gjithë e të ngjashme. Por, opozita vlerëson se këto janë vetëm premtime boshe, duke pohuar se shumica nga kabineti i ri qeveritar nuk kanë kapacitete për t`i realizuar.
“Lidhur me ekonominë kemi dëgjuar shumë premtime edhe gjatë mandatit të kaluar, fatkeqësisht pjesa më e madhe nuk u realizua. Kemi vrimë buxhetore prej 1 miliardë eurosh, jo vetëm për shkak të krizës korona, por për shkak të jonikoqirllëkut. Qytetarët në zgjedhje shtronin pyetjen ku janë paratë, për shkak se për tre vite asgjë nuk u realizua”.
Përbërja e re parlamentare, konform rregullores, ka dy ditë për debate, që do të thotë se deri nesër në mesnatë duhet të votohet përbërja e re qeveritare.
Zaevi llogarit në votat e 62 deputetëve të koalicionit LSDM-BESA, BDI dhe PDSH. Kjo do të thotë se edhe në këtë përbërje parlamentare sfida kryesore do të jenë ligjet për të cilat do të duhen shumica prej 2/3 të domosdoshme për reforma rrënjësore, ashtu siç paralajmëron mandatari Zoran Zaev.
Tv Klan