Një ditë pas njoftimit në seancën plenare është zbardhur nisma ligjore e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për faljen e gjobave.
Projektligji i depozituar tashmë në Kuvend parashikon të anulojë të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024, në zonat rurale, të vendosur nga Inspektoratet Mbrojtjes së Territorit. Gjithashtu për të njëjtën periudhë, ai parashikon edhe anulimin e të gjitha gjobave të vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Më konkretisht nga kjo nismë do të përfitojnë të gjithë ata shtetas apo subjekte të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.
Gjithashtu do të përfitojnë edhe të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale.
Projektligji parashikon edhe faljen e të gjitha gjobave që janë vendosura ndaj individëve dhe subjekteve në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kane zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë.
Procedurat e zbatimit të anulimit së masave administrative të papaguara, miratohen nga Këshilli i Ministrave me vendim të posaçëm brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij ligji.
Tv Klan