Albano Velo, 30-vjeç, ky që shihni në këtë foto, djali i një efektivi policie që ushtron detyrën në kryeqytet, është arrestuar si një nga autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa në 16 Dhjetor, në zonën e Selitës në Tiranë. Ai u la në burg pa afat nga Gjykata këtë të martë, ku mohoi implikimin e tij në ngjarjen e rëndë.
Megjithatë, burime për Televizionin Klan thanë se Velo, i lindur në Përmet dhe banues në Tiranë ka qenë në rolin e personit i cili ka vëzhguar lëvizjet e viktimës dhe më pas, këto informacione ia ka dhënë ekzekutorit fizik, i cili rezulton të jetë një 44-vjeçar me inicialet A.B., i shpallur në kërkim.
Kamerat e sigurisë kanë qenë ato që kanë ndihmuar grupin e hetimit të bjerë në gjurmët e autorëvve dhe një makinë tip “Audi” e përdorur prej tyre, para se të kryenin vrasjen dhe pas, për t’u larguar.
Në funksion të hetimeve, me kërkesë të Policisë e Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës së Tiranës, disa persona janë mbajtur në përgjim telefonik dhe ambiental, duke ndihmuar kështu në dokumentimin e kësaj ngjarje.
Gjatë hetimeve, Policia sekuestroi makinën tip “Audi” dhe 3 telefonë celularë që do t’i nënshtrohen akt-ekspertimit, ndërkohë 30-vjeçari u arrestua pasi u kthye nga Franca, ku ishte larguar rreth 4 ditë pas vrasjes.
Hetuesit nuk konfirmojnë ende zyrtarisht motivin e vrasjes së shtetasit Edmond Papa, por burime thanë se ajo është pasojë e përplasjes së grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe Greqi.
Dyshohet se ajo mund të ketë lidhje me atentatin ndaj Aleksander Sadikajt, i cili mbeti i vrarë kur makina e tij u hodh në erë me një minë të komanduar në distancë teksa po i afrohej rrethrrotullimit të TEG-ut në verën e vitit 2022.
Në rrjetin e tij social “Facebook”, konstatohet se Albano Velo ka pasur lidhje shoqërore me Aleksandër Sadikajn. Ai ka postuar fotografi nga resorti i tij në Tepelenë, ndërsa ka edhe disa postime me armë e shuma të mëdha parash, si dhe me babain e tij që pozon i veshur me uniformë policie.
Policia e Shtetit njoftoi se ka pezulluar nga detyra babain e 30-vjeçarit, një punonjës policie në Patrullën e Përgjithshme dhe se po kryen hetime të thelluara mbi të për këtë rast.
Përsa i përket ekzekutorit, policia ka qenë deri tani tepër diskrete.
Dyshohet që edhe ai të ketë lidhje shoqërore me Velon dhe Sadikajn, por zyrtarisht policia nuk ka konfirmuar deri tani asnjë pistë të motivit të krimit. Dyshohet se vrasësi që qelloi me 7 plumba mbi Aleksandër Papën mund të jetë larguar nga Shqipëria.
Në lidhje me këtë ngjarje ka raportuar në një lidhje direkte për TV Klan edhe gazetarja Bleona Metushi:
Anjola Hamzaj: Bleona është mësuar emri 44-vjeçarit të shpallur në kërkim?
Bleona Metushi: Anjola në fakt gjatë ditës së sotme Policia e Tiranës, e cila ka bërë arrestimin e shtetasit Albano Velaj që në momentin e mbërritjes së tij në aeroportin e Rinasit në datën 1 Janar është treguar diskrete në lidhje me emrin dhe identitetin e 44-vjeçarit, i cili ashtu sikurse ka rezultuar nga verifikimet e deritanishme konsiderohet si personi që ka ekzekutuar fizikisht biznesmenin Edmond Papa dhe ende në fakt Policia e Tiranës nuk e ka bërë të ditur emrin e tij.
Anjola Hamzaj: Bleona dyshohet për persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje?
Bleona Metushi: Për nga mënyra se si ka ndodhur e gjithë ngjarja, pasi Policia e Tiranës ka arritur të sigurojë pamje të disa ditëve para se të ndodhte ngjarja në datën 16 Dhjetor, por edhe pas ajo ka qenë mjaft e organizuar dhe dyshohet se pas ngjarjes së rëndë të ketë edhe persona të tjerë të cilët janë aktualisht nën hetim dhe në verifikim nga ana e Policisë së Tiranës. Edhe më herët ne kemi raportuar se janë një sërë kërkesash të cilat lidhen më vëzhgime ambientale, por edhe përgjime të bëra në Gjykatën e Tiranës të cilat janë lejuar në kuadër të këtij hetimi dhe pritet në fakt që të ketë edhe persona të tjerë me përgjegjësi penale për këtë ngjarje.
Tv Klan