“I rënë nga qielli” është libri më i fundit i Tom Kukës  apo për ata që e njohin ndryshe, Enkel Demit. Titulli,  siç shpjegon ai në intervistën në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është një lojë fjalësh pasi vetë shprehja mbart kuptimin e saj të parë, por do të thotë edhe “i bekuar”. Në jetën e Enkel Demit, duket se zë vend kjo e dyta pasi në faqen e parë të librit, dedikimi është për një bekim vërtet të rënë nga qielli.

Për herë të parë, Enkel Demi zbulon se do të bëhet gjysh. Dedikimi që duket thuajse enigmatik, mban emrin “Mark” çka nënkupton se do të jetë një nip që tashmë e ka edhe emrin e tij.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë në faqen e parë tek “I rënë nga qielli”, shkruhet “Markut”. Flasim pak për Markun?

Enkel Demi: Për Markun do të flasim në të ardhmen. Marku është…s’e kam thënë asnjëherë, unë gjithmonë shpresoj që mos ta lexojë njeri faqen e parë, ti pse e lexon? Marku është nipi im që do të vijë pas pak kohësh.

Ardit Gjebrea: Në jetë.

Enkel Demi: Po, dhe unë nuk e di si është. Në shtëpinë tonë të gjithë fantazojmë kujt do t’i ngjajë, kujt nuk do t’i ngjajë, për fat Marku ka një mama shumë të bukur, ka një baba shumë të bukur kështu që kam përshtypjen se do të jetë një çun i pashëm.

Ardit Gjebrea: Shiko, ne zakonisht kur kemi folur për gjyshërit dikur, imagjinonim ato gjyshërit që gëzimi i tyre ishte vetëm nipi, mbesa, bënin ndonjë Pazar, ziheshin me gjyshen. Si e projekton veten si gjysh?

Enkel Demi: Nuk e kam projektuar akoma.

Ardit Gjebrea: Si e mendon?

Enkel Demi: Jam munduar ta krijoj një figurë të tillë, por e kam gati-gati të pamundur, shumë shpesh pyes edhe Silën, kemi këtë lloj dileme. Di vetëm një gjë që ndonjëherë koha të kthehet mbrapsht. Për shembull, jam tallur me Petri Bozon me muaj të tërë kur u bë gjysh dhe tani vetëm Petrit s’i kam thënë që do të bëhem se kam hall se do më kthehet. Por ne jemi shumë të rinj, Jonin e kemi bërë goxha të rinj dhe ai është në moshën e duhur për t’u bërë baba, ndoshta s’jemi ne në moshën e duhur për t’u bërë gjyshër që do të thotë kjo është një eksperiencë fantastike për Markun sepse do të ketë edhe dy gjyshër që kanë energjinë e dy prindërve. Kam përshtypjen që ai ka për të kaluar mirë me ne. Ka filluar të kalojë mirë me ne që tani sepse kemi filluar të blejmë gjëra./tvklan.al