Një kusht i vënë nga Serbia mban peng vënien në punë të linjës së interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë. Edhe pse është inauguruar më 28 Qershor, linja nuk është përdorur asnjëherë.
Kreu i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Engjell Zeqo, në një intervistë për Televizionin Klan zbulon kushtin e Beogradit, për monopolin për furnizmin me energji të Mitrovicës, nga një kompani serbe.
“Është vënë kusht për licensimin në Kosovë të një kompanie furnizuese të energjisë elektrike për një pjesë të minoriteti serb që është në Mitrovicë”.
Kushti i Serbisë po prodhon kosto për Shqipërinë dhe Kosovën, që vazhdojnë të paguajnë këstet e kredive për investimin prej 75.5 milionë eurosh.
“Që nga Qershori i këtij viti kemi filluar përveç pagesave të interesave që kanë filluar të paguhen, paguajmë dhe principalin e kësaj kredie. E gjitha kjo po të kalkulohet sjell atë humbjen që askush nuk do ta pranonte dhe të këkronte një zgjidhje të menjëhershme.”
Humbjet e Shqipërisë nga ky projekt janë më shumë se kredia bankare, pasi pikësëpari ka të bëjë me sigurinë energjitike. Në momente krizash, aksesi përmes linjave të tensionit të lartë, siç është ajo me Kosovën, i mundësojnë vendit tonë energji më të lirë dhe blerje të shpejta.
Çdo vit, si Kosova dhe Shqipëria, humbin 1 milionë euro vetëm nga pagesat që duhet të jepnin kompanitë, të cilat do të përdorin këtë linjë. Çështja është në tryezën e bisedimeve mes dy vendeve, nëse Serbia nuk pranon të zgjidhë këtë çështje, rrezikon të penalizohet nga grantet që përfiton si anëtare e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Tv Klan